Bytyqi: Vendimi i Speciales ndaj Thaçit për pengimin e drejtësisë s’është politikisht i motivuar
Avokati Asden Bytyqi ka thënë se vendimi i sotëm i Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi në rastin kundër tij për pengimin e drejtësisë, nuk është politikisht i motivuar.
Bytyqi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se nëse do të ishte politikisht i motivuar atëherë do të ishin duke u gjykuar mbi të njëjtat akuza edhe ish-krerët tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Bytyqi ka thënë se derisa në vendimin e shtatorit në rastin e madh ndaj ish-krerëve të UÇK-së është thënë se është politikisht i motivuar, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe ndaj vendimit të së hënës.
“Ky vendim mund të jetë juridikisht i ligjshëm apo paligjshëm, i qëndrueshëm apo paqëndrueshëm, varësisht nëse e vërteton Apeli. Por, nuk mendoj se është politikisht i motivuar. Po të ishte politikisht i motivuar, duhej të njëjtën prizëm të paraleles të akuzoheshin edhe krerët e tjerë, e që sot s’ishin pjesë e këtyre akuzave, tre të tjerët që u dënuan në procesin e parë”, tha Bytyqi.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu, janë dënuar më 41 muaj burgim efektiv dhe një muaj burgim me kusht nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në rastin kundër administrimit të drejtësisë. Me vendimin e shpallur nga gjyqtari Kristofer Gosnell, Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, Smakaj e Fazliu me nga 12 muaj burgim, Kuçi me një muaj burgim me kusht. Ndërsa ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm.
Alijaj për Specialen: Strukturë politike, qëllim ka barazimin e një të kaluare që s’mund të ndryshohet
Artan Alijaj nga organizata “The Strategy Group” ka thënë se duke shikuar qysh në gjenzën e gjithë veprimtarisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, ajo më shumë merret me veprime politike sesa me ato juridike.
Alijaj në “Konfront” të KTV-së ka komentuar vendimin e sotëm të Dhomave të Specializuara. Specialja ka marrë vendim dënues ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut e Hajredin Kuçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë. Nga akuzat është liruar Isni Kilaj. Çështja lidhet me ndërhyrjet te dëshmitarët në gjykimin për krime lufte ndaj Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. Hashim Thaçi është dënuar me një vit e pesë muaj burgim për 9 pika të aktakuzës. Por ky dënim sipas gjyqtarit, do të kryhet veçmas atij ku Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim për krime lufte.
“Edhe në këtë rast ka pasur probleme rreth asaj si janë administruar provat, si janë komentuar nga gjykata e si është marrë vendimi. Po flasim për një institucion që qysh në gjenezë e gjithë veprimtarisë së tij është dukur se më shumë merret me veprime politike sesa me veprime juridike. Pasi kjo vërehet edhe nga mënyra e punës së tyre, por edhe nga dy vendimet dhe mënyra se si lexohen vendimet e si prezantohen vendimet nga vetë gjykatësit. Nëse marrim parasysh gjenezën e kësaj gjykate e mënyrën e funksionimit, na lënë të kuptojmë më shumë se kemi të bëjmë me një strukturë politike, që ka të bëjë më shumë me qëllime politike të barazimit të një kaluare që nuk mund të ndryshohet nga asnjë gjykatë. Por ja që kjo po ndodh”, ka thënë Alijaj.
Alijaj ka thënë se vendimi i të martës mund të komplikojë procesin e Apelit në Speciale ndaj vendimit të shtatorit kundër katër ish-krerëve të U{K-së, të cilët u dënuan për krime lufte.
Alijaj ka thënë se po konfirmohet çdo ditë, se ideja e themelimit të Speciales ishte që të krijohet një “institucion politik që do të ofrojë një lloj barazie e t’i shpëtohet Serbisë fytyra, e të ketë arsyetim ta integrojë atë në BE”.
Musa: Nuk është e qartë nëse Thaçit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim
Avokati Skender Musa ka thënë se ende nuk është e qartë nëse ish-presidentit Hashim Thaçi do t’i llogaritet në dënim koha që ka kaluar në paraburgim në Hagë pas dënimit me 17 muaj burgim në rastin e pengimit të administrimit në drejtësi.
Musa ka thënë se paraburgimi duhet t’i njihet të dënuarit në dënim, por ka vërejtur se në rastin e Thaçit kjo çështje nuk është e qartë në aktgjykim.
“Është e paqartë se çka do të ndodhë me dënimin e Thaçit, a do të llogaritet në aktgjykim ai burgim paralel për krime lufte. Paraburgimi duhet t’i njihet në dënim. Te të tjerët e kanë përmendur, te Thaçi jo, por kanë thënë se ky dënim është veçmas”, ka thënë Musa në “Konfront”.
Ai ka shprehur edhe kritika ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si gjykatë politike dhe duke thënë se ka pritur që Thaçi të dënohej.
“Kam pritur që të dënohen duke marrë parasysh se kjo gjykatë është krejt politike dhe duke pasur parasysh se kjo gjykatë secilin shqiptar që ia qet përpara që e ka emblemën e UÇK-së, ka me dënu”, ka deklaruar Musa.
Sipas tij, ka paqartësi edhe rreth provave të përdorura në rastin e Thaçit. Musa ka përmendur deklarimet e një eksperti që ka analizuar përgjimet në qelinë e burgut, duke thënë se ato dyshohet se kanë qenë të ndërhyra.
“Është vendim politik, sepse e kam dëgjuar ekspertin që ka analizuar përgjimet në qelinë e burgut dhe, nëse më kujtohet, ka thënë se përgjimet janë të prekura, kanë ndërhyrë. Dhe nëse ka ndërhyrje, ajo provë s’mund të trajtohet si e tillë”, ka thënë ai.