Ndonëse shqiptarët kishin mesatarisht më shumë të ardhura në vitin 2025, ata realisht u bënë më të varfër, pasi me këto para mund të blinin gjithnjë e më pak sesa fqinjët.

Sipas të dhënave, që Eurostat i ka përditësuar për Shqipërinë për vitin 2025, të ardhurat mesatare të disponueshme për frymë ishin 6,731 euro, ose gati 1100 euro më shumë se një vit më parë, me një rritje prej gati 20%.

Të ardhurat e disponueshme matin sa para u mbeten familjeve pas taksave dhe kontributeve, duke përfshirë përfitimet sociale, ndaj japin një pamje më të drejtpërdrejtë të kushteve të jetesës sesa PBB-ja për frymë, që mat sa prodhon ekonomia për banor.

Megjithatë, të matura sipas fuqisë blerëse, rritja është më e ngadaltë. Po sipas Eurostat, të ardhurat e disponueshme për frymë ishin 9,592 PPS, me rritje 12.5%. Ky tregues merr parasysh dallimet e çmimeve mes vendeve dhe e bën të krahasueshme sasinë e mallrave dhe shërbimeve që familjet mund të blejnë me të ardhurat e tyre, sipas metodologjisë së Eurostat.

Krahasimi me Serbinë e bën më të dukshëm hendekun. Në vitin 2025, për çdo 100 euro të ardhura të disponueshme në Serbi, në Shqipëri kishte 76 euro, nga 82 euro një vit më parë. Kur llogariten edhe çmimet, për çdo 100 njësi fuqi blerëse në Serbi, Shqipëria kishte vetëm 73, nga 84 një vit më parë. Pra, hendeku në fuqi blerëse u thellua nga 16% në 27%.

Shqipëria e fundit në Europë për fuqinë blerëse të të ardhurave

Në vitin 2025, të ardhurat e disponueshme në Shqipëri ishin sa 26% e mesatares së BE-së në euro dhe sa 37.5% e saj pasi merren parasysh çmimet. Në këtë matje, Shqipëria renditej e fundit ndër vendet europiane me të dhëna.

Në Serbi, të ardhurat arritën në 34.1% të mesatares së BE-së në euro dhe në 51.3% sipas fuqisë blerëse në vitin 2025. Për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, të dhënat më të fundit janë të vitit 2024.

Krahasuar me mesataren e BE-së të atij viti, të ardhurat në Malin e Zi ishin në 29.4% në euro dhe 46.7% sipas fuqisë blerëse, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ishin përkatësisht në 20.8% dhe 40.9%. Për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën mungojnë të dhënat e krahasueshme për të dyja vitet.

Në vitin 2024, viti më i fundit me të dhëna të krahasueshme për Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, shqiptarët kishin 11% më shumë të ardhura në euro se banorët e Maqedonisë së Veriut, por me to mund të blinin 13% më pak. Krahasuar me Malin e Zi, fuqia blerëse e të ardhurave në Shqipëri ishte 24% më e ulët.

Krahasimi me Maqedoninë e Veriut përsëritet edhe te PBB-ja për frymë. Sipas të dhënave të FMN-së të analizuara më herët nga Monitor, Shqipëria e kaloi Maqedoninë e Veriut për PBB-në për frymë në dollarë në vitin 2025, ndërsa Maqedonia e Veriut vijoi të kryesonte kur i njëjti tregues u mat sipas fuqisë blerëse.
Ushqimet kushtojnë më shumë se në BE dhe marrin 40% të buxhetit familjar

Çmimet e ushqimeve, që për herë të parë në 2025-n u bënë dhe më të shtrenjta sesa BE, shpjegojnë një pjesë të hendekut në fuqi blerëse me rajonin.

Në vitin 2025, një shportë ushqimore që kushtonte mesatarisht 100 euro në BE kushtonte 102.9 euro në Shqipëri, 96.6 euro në Serbi, 84.6 euro si në Malin e Zi, ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë, dhe 74.3 euro në Maqedoninë e Veriut, sipas Eurostat-it. Shqipëria kishte çmimet më të larta të ushqimeve ndër vendet e Ballkanit Perëndimor me të dhëna. Kosova nuk përfshihet në këtë krahasim.

Çmimet e larta rëndojnë pikërisht te zëri ku familjet shqiptare shpenzojnë më shumë. Në vitin 2025, ushqimet dhe pijet joalkoolike zunë 39.8% të shpenzimeve familjare për konsum në Shqipëri, sipas INSTAT-it, kundrejt 13.2% në BE, sipas Eurostat-it.

Pra, ushqimet zënë rreth tri herë më shumë peshë në buxhetin familjar në Shqipëri, ku çmimet e tyre janë rreth 3% mbi mesataren e BE-së, ndërsa të ardhurat mesatare të disponueshme në euro janë vetëm sa 26% e nivelit të BE.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb