Wednesday / November 18 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Bankat emetuan 40 milionë euro obligacione për 6-mujorin 2026, rriten interesat

Share Share Icon

Sektori bankar ka emetuar obligacione korporative në vlerën e 3.8 miliardë lekëve ose rreth 40 milionë eurove në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shuma e emetimeve pësoi rënie me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pjesa dërrmuese e emetimit të obligacioneve lidhen me kërkesat minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL), të parashikuara në ligjin për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka dhe kuadrin rregullator në mbështetje të këtij ligji, që aplikohet për bankat më të mëdha në vend, kryesisht ato me rëndësi sistemike.

Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, emetimet përfshijnë vetëm borxh të varur. Titujt financiarë të borxhit të varur përfaqësojnë detyrime të nënrenditura, të cilat emetohen kryesisht për qëllime të kapitalit rregullator e njëkohësisht edhe për të përmbushur kërkesën për MREL.

Borxhi i varur, i konvertueshëm në kapital aksionar të i bankave, mund të financohet nëpërmjet marrëveshje të huasë ose përmes emetimit të titujve të borxhit, që iu ofrohen për blerje individëve apo subjekteve të zgjedhur nga vetë emetuesi. Në vitet e fundit, bankat tregtare shqiptare po përdorin gjithnjë e më shumë obligacionet me ofertë private si instrument i sigurimit të borxhit të varur. Ky përdorim ka shënuar rritje veçanërisht pas vitit 2019, kur nisi aplikimi i shtesave makroprudenciale të kapitalit.

Përdorimi i borxhit të varur është një mekanizëm që krijon hapësira për shpërndarjen e dividendëve për aksionarët, pikërisht sepse një pjesë e kërkesës rregullatore për kapital mbulohet nëpërmjet këtij instrumenti.

Për sa i përket monedhës së emetimit të këtyre instrumenteve, për këtë periudhë, emetimi në monedhën vendase shënon 1.89 miliardë lekë, emetimi në Euro shënon rreth 1.83 miliardë lekë dhe në monedhën USD shënon rreth 85.95 milionë lekë.

Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, totali i emetimeve është ndarë thuajse në mënyrë të barabartë mes monedhës vendase dhe atyre të huaja, ku 49.6% e emetimeve janë në monedhën Lek, 48.1% në monedhën Euro dhe pjesa e mbetur prej 2.3% në monedhën USD.

Në këto emetime, individët, krahasuar me personat juridikë, vijojnë të mbajnë një peshë të rëndësishme (97.3%) të titujve të emetuar të borxhit.

Në lidhje me koston e financimit në tregun e kapitalit, norma e interesit ka shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar kryesisht vlerësimin për primin e rrezikut të këtij instrumenti (borxh i varur).

Emetimi në monedhën Lek u realizua me normën mesatare të interesit prej 5.8%, nga 4.9% që kishte qenë një vit më parë. Një rritje më e ndjeshme u shënua në transaksionet në Euro, ku norma mesatare e interesit u rrit në 4.8%, nga 3.5% që kishte qenë një vit më parë.

Banka e Shqipërisë vlerëson se kapaciteti i tregut të kapitalit për të përthithur emetimet për gjashtëmujorin e parë 2026 paraqitet i kënaqshëm edhe pse shënon një vlerë më të ulët kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Gjatë kësaj periudhe, investitorët kanë blerë rreth 79% të vlerës totale të titujve të miratuar për emetim në treg, përkundrejt nivelit prej rreth 90% të së njëjtës periudhë të vitit 2025./E.Shehu

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Bordi ul çmimet e karburanteve, nafta zbret në 207 lekë për litër

Çmimi tavan i naftës me pakicë u ul me 3 lekë, në 207 lekë për litër, me vendimin e 17 nëntorit të Bordit të Transparencës. Benzina dhe gazi për au...

14 hours më parë 1 Min Lexim

Java Globale e Sipërmarrjes nis në Tiranë, Ibrahimaj: Më shumë mundësi për inovacion dhe sipërmarrje

Java Globale e Sipërmarrjes 2026 çeli siparin në Tiranë me Konferencën Rajonale “Inovacioni në Ballkanin Perëndimor”, ku mori pjesë edhe ministrja ...

15 hours më parë 12 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!