82-vjetori i Çlirimit të Tiranës, prefekti Shkëlqim Hajdari: Sakrifica të nderohet me punë dhe përgjegjësi


Tirana përkujtoi sot 82-vjetorin e çlirimit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së kryeqytetit. Më 17 nëntor 1944, pas luftimesh të përgjakshme, qyteti fitoi lirinë, falë sakrificës së luftëtarëve antifashistë dhe mbështetjes së familjeve tiranase. Në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 17 Nëntorit morën pjesë drejtues të Bashkisë së Tiranës dhe të Qarkut Tiranë, deputetë, përfaqësues të shoqatave të veteranëve, familjarë të dëshmorëve dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Sadi Vorpsi, vlerësoi kontributin e familjeve tiranase, të cilat strehuan dhe mbështetën luftëtarët antifashistë. “Shtëpitë përdhese të këtij qyteti u bënë foletë e ëndrrave, shpresave, idealeve të lartësuara, planeve dhe strehimit të gjithë atyre njerëzve që i dolën për zot kombit në ato ditë të errëta të historisë. Bujaria e njohur e tiranasve i hapi dyert për të gjithë ata që kaluan në ilegalitet”
Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari shprehu mirënjohjen për dëshmorët, veteranët dhe familjet e tyre. Ai theksoi se liria e kryeqytetit u fitua me guxim dhe vetëmohim, duke kujtuar idealin që bashkoi luftëtarët për çlirimin e vendit. “Ata që ranë për liri nuk kërkuan lavdi, as privilegje. Ata dhanë gjithçka kishin, edhe jetën, për një ideal më të madh se vetja: lirinë e Atdheut dhe të popullit tonë”.
Hajdari e cilësoi 17 Nëntorin një amanet të brezave që luftuan dhe një përgjegjësi për të tashmen. Sipas tij, nderimi i sakrificës së dëshmorëve duhet të pasqyrohet në punën e përditshme, në ndershmëri dhe në përkushtimin ndaj qytetarëve. “Detyra jonë është ta nderojmë atë sakrificë jo vetëm me fjalë e ceremoni, por me punë, përgjegjësi, ndershmëri dhe përkushtim ndaj qytetit e vendit tonë. Sepse liria që trashëguam është njëkohësisht privilegj dhe përgjegjësi”. Ceremonia e organizuar nga Bashkia e Tiranës pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur u shoqërua me Himnin Kombëtar dhe interpretime të Bandës Frymore, në nderim të të rënëve për lirinë e kryeqytetit.
360grade.al



















