Vendosni fjalën kyçe....

Protestë kombëtare sot në Tiranë, tubimi nis në orën 14:00



Një protestë kombëtare është paralajmëruar të zhvillohet sot në orën 14:00 në Tiranë, ku pritet të mblidhen qytetarë në vijim të aksionit kundër qeverisë. Protestat do të vijojnë sipas një kalendari të përcaktuar, çdo të mërkurë dhe të shtunë, në të njëjtën orë.

Tubimi i sotëm vjen një ditë pas protestës së së martës, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë.

Gjatë protestës së djeshme, një pjesë e pjesëmarrësve tentuan të qëndronin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa Policia ndërhyri për t’i zhvendosur në trotuar, me argumentin se duhej të lirohej rruga për qarkullimin e automjeteve, në zbatim të aktit normativ të qeverisë.

Refuzimi i disa protestuesve për t’u larguar nga bulevardi solli përplasje fizike me efektivët. Situata u tensionua më tej gjatë ndërhyrjeve për shoqërimin e disa pjesëmarrësve në komisariat, mes të cilëve kishte edhe gra, vajza dhe të moshuar. Në pamjet e publikuara nga protesta shfaqen gjithashtu protestues që tentojnë të pengojnë automjetet e Policisë që po largonin personat e shoqëruar.

Gjatë tubimit pati edhe thirrje dhe akuza ndaj Policisë, ndërsa u raportuan pretendime për përdorim force gjatë shoqërimeve.

Protestuesit kundërshtuan ndërhyrjen e Policisë, duke pretenduar se kishin marrë leje për zhvillimin e tubimit dhe se e drejta për protestë garantohet nga Kushtetuta. Nga ana tjetër, Policia argumentoi se ndërhyrja synonte lirimin e rrugës dhe garantimin e qarkullimit.

Pas tensioneve, protesta u mbyll në Sheshin Skënderbej, ku pjesëmarrësit kënduan himnin kombëtar dhe u larguan me thirrjen “Nesër më shumë”.