Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Enea Zyferin, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit në çështjen e rrëmbimit dhe vrasjes së Eglant Koçit.
Nga masa “arrest në burg”, gjykata ka vendosur që Zyferi të qëndrojë në “arrest në shtëpi”.
Sipas vendimit, ai do të duhet të qëndrojë në banesën e tij në Rajonin 2 në Korçë, duke mos u larguar prej saj në zbatim të masës së caktuar nga gjykata.
Nga hetimet e Prokurorisë, Enea Zyferi dyshohet se ka ndihmuar Armando Shakajn për të zhdukur gjurmët e krimit pas ngjarjes së rëndë. Për këtë arsye, ai akuzohet për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit.
Ndërkohë, Armando Shakaj vijon të jetë në kërkim nga autoritetet, pasi dyshohet si organizatori i rrëmbimit dhe vrasjes së Eglant Kocit.
Si ndodhi ngjarja?
Eglant Koçi u zhduk në fillim të qershorit 2026, pasi ishte parë për herë të fundit në zonën e sheshit Wilson në Tiranë. Familjarët e tij denoncuan zhdukjen më 5 qershor, ndërsa hetimet e Policisë çuan në dyshimet se 34-vjeçari ishte marrë peng.
Sipas hetimeve, personi kryesor i dyshuar për ngjarjen është Armand Shakaj, 41 vjeç, i cili dyshohet se e ka mbajtur peng Koçin në ambientet e një biznesi në Tiranë. Pamjet e kamerave të sigurisë dhe gjurmët e gjetura gjatë hetimeve ndihmuan në rindërtimin e lëvizjeve të personave të përfshirë.
Një nga detajet që tërhoqi vëmendjen e hetuesve ishte fikja e dritave në ambientet e biznesit. Enea Zyferi, i cili punonte si kamarier në lokalin e Shakajt, ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se punëdhënësi i kishte kërkuar të fikte dritat, me arsyetimin se do të nxirrte një frigorifer.
Zyferi ka pranuar se e kishte parë Koçin të hynte në ambientet e lokalit, por ka mohuar të kishte dijeni për atë që kishte ndodhur më pas. Prokuroria dyshon se ai ka ndihmuar Shakajn për të fshehur gjurmët e krimit.
Më 19 qershor, trupi i pajetë i Eglant Koçit u gjet në zonën e Cerrujës, mes Tiranës dhe Elbasanit.












