Moti i keq në Vlorë, ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe peshkimit
Kushtet e përkeqësuara hidrometeorologjike në Gjirin e Vlorës dhe në det të hapur kanë sjellë kufizime për lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit. Autoritetet kanë njoftuar ndalimin e pajisjes me leje nisjeje për këto mjete, duke filluar nga ora 08:00 e kësaj të mërkure (18 nëntor) deri në orën 06:00 të datës 19 nëntor.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë datave 18-19 nëntor parashikohet përkeqësim i motit detar, me erë nga drejtimi jug-jugperëndim, me forcë 6-7 ballë dhe shpejtësi që pritet të arrijë 15-20 metra në sekondë.
Ndërkohë, lartësia e dallgëve parashikohet të variojë nga 1.5 deri në 2.5 metra, duke krijuar kushte të vështira për lundrimin e mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit.
Për të parandaluar situatat emergjente dhe rreziqet që mund të shkaktohen nga kushtet atmosferike, autoritetet u kanë kërkuar të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë aktivitet në fushën detare të marrin masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve.
Kufizimet nuk prekin anijet e transportit ndërkombëtar detar, të cilat do të vijojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



