Përkeqësohen kushtet atmosferike në det, pezullohet lundrimi për mjetet e vogla
Kushtet e përkeqësuara hidrometeorologjike pritet të përfshijnë Gjirin e Vlorës dhe zonat detare përreth gjatë datave 18 dhe 19 nëntor. Sipas njoftimit të autoriteteve portuale, parashikohet erë e fortë nga drejtimi jug-jugperëndim, me shpejtësi 15 deri në 20 metra në sekondë, ndërsa lartësia e dallgëve pritet të arrijë nga 1.5 deri në 2.5 metra.
Për shkak të këtyre kushteve, nga ora 08:00 e datës 18 nëntor deri në orën 06:00 të datës 19 nëntor është ndaluar pajisja me leje nisjeje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, në det të hapur. Ndërkohë, autoritetet u kanë bërë thirrje subjekteve detare të marrin masa për sigurimin e mjeteve dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normalisht, ndërsa përmirësimi i kushteve për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 19 nëntor.




