Një histori e jashtëzakonshme jetëgjatësie vjen nga Oqeani Paqësor, ku një albatros femër, i njohur me emrin Wisdom, vazhdon të mahnisë shkencëtarët edhe pas më shumë se shtatë dekadash jetë.
Shpendi, që konsiderohet më i vjetri i njohur në botë në gjendje të egër, u identifikua për herë të parë në vitin 1956, kur një biolog i vendosi një unazë identifikimi. Në atë kohë, Wisdom vlerësohej të ishte rreth pesë vjeçe. Sot, ajo vazhdon të rikthehet në koloninë e saj në Atolin Midway, në Havai.
Pavarësisht moshës së avancuar, albatrosi ka ruajtur aftësinë për t’u riprodhuar. Në dhjetor të vitit 2024, ajo vendosi një tjetër vezë, duke habitur studiuesit. Sipas vlerësimeve, gjatë jetës Wisdom ka prodhuar nga 50 deri në 60 vezë, prej të cilave të paktën 30 kanë çelur.
Për dekada, ajo kishte të njëjtin partner, Akeakamai, por pas zhdukjes së tij është parë duke krijuar lidhje me meshkuj të tjerë. Gjatë sezonit 2025-2026, Wisdom nuk vendosi vezë, megjithëse u rikthye pranë partnerit të saj më të fundit, EX25.
Ekspertët sqarojnë se albatrosët shpesh ndërpresin riprodhimin për një sezon çdo dy ose tre vjet, ndaj kjo pauzë nuk konsiderohet domosdoshmërisht fundi i historisë së saj të jashtëzakonshme.