Lifestyle

Pse bisedat me të panjohurit mund të na bëjnë mirë?

Jo çdo miqësi duhet të zgjasë me vite për të pasur vlerë. Ndonjëherë, një bisedë e rastësishme në avion, një udhëtim me tren apo një takim i shkurtër me një të panjohur mund të na japë diçka që nuk e gjejmë gjithmonë as te njerëzit më të afërt. Kjo është ideja që trajton autorja Tiffany Watt Smith, e cila vë në diskutim mënyrën se si jemi mësuar t’i vlerësojmë marrëdhëniet njerëzore: sa më gjatë të zgjasin, aq më të rëndësishme konsiderohen.

Autorja sjell në vëmendje një fjalë ruse, “poputchik”, që përshkruan një të panjohur që takon gjatë një udhëtimi dhe me të cilin përfundon duke ndarë mendime, sekrete apo shqetësime personale, pikërisht sepse e di se me shumë gjasë nuk do ta takojë më kurrë.

Ajo rrëfen edhe një përvojë personale gjatë një fluturimi të gjatë drejt Torontos. Fillimisht, udhëtarët pranë saj qëndruan të distancuar, por në orët e para të mëngjesit nisën të bisedonin. Personi që kishte në krah ishte një pjesëtar i Marinës Mbretërore Britanike, i cili i tregoi për jetën dhe vështirësitë e punës së tij, por edhe për dëshirën për të krijuar një lidhje romantike dhe pasiguritë që kishte për një prezantim të ardhshëm. Edhe autorja ndau me të shqetësimet për një ndryshim në karrierën e saj. Kur avioni mbërriti në destinacion, të dy u ndanë, por ajo e kujton ende ndjesinë e afërsisë dhe çlirimit që i dha ajo bisedë.

Këto lidhje të përkohshme mund të kenë ndikim më të madh nga sa mendojmë. Edhe një bisedë e thjeshtë për motin mund të rrisë ndjesinë e përkatësisë dhe të lidhjes me të tjerët. Ndonjëherë, të flasësh me një të panjohur është më e lehtë sesa me një mik të afërt, sepse nuk ekziston frika e gjykimit apo e pyetjeve të shumta që mund të pasojnë rrëfimin.

Për shekuj me radhë, filozofia e Aristotelit ka ndikuar në mënyrën se si i klasifikojmë miqësitë. Ai i vendoste në krye marrëdhëniet e qëndrueshme, të bazuara në vlera dhe mirëkuptim të ndërsjellë, ndërsa lidhjet e krijuara për lehtësi, interes apo shoqëri të përkohshme i konsideronte më pak të rëndësishme. Por autorja sugjeron se kjo hierarki mund të mos pasqyrojë të gjithë pasurinë e marrëdhënieve njerëzore.

Ajo përmend edhe konceptin e “anarkisë së marrëdhënieve”, i cili kundërshton renditjen e lidhjeve sipas rëndësisë dhe jetëgjatësisë së tyre. Çdo marrëdhënie, qoftë me një mik të fëmijërisë, një fqinj apo një person të takuar vetëm një herë, mund të ketë vlerën dhe veçantinë e vet.

Edhe pse komunikimi online na ofron mundësi të reja për t’u hapur me të panjohurit, bisedat ballë për ballë kanë një dimension tjetër. Toni i zërit, gjestet, ritmi i bisedës dhe mënyra si reagojmë ndaj njëri-tjetrit krijojnë një afërsi që nuk transmetohet gjithmonë përmes ekranit.

Përfundimi i autores është se nuk duhet t’i nënvlerësojmë takimet e shkurtra. Një person që nuk do ta takojmë më mund të na bëjë të ndihemi më pak të vetmuar, të na ndihmojë të shohim gjërat ndryshe ose thjesht të na kujtojë se sa shumë histori të ndryshme njerëzore ekzistojnë përreth nesh. Sepse jo çdo miqësi ka nevojë për një të ardhme të gjatë për të lënë një kujtim të bukur.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.