Reshje gjatë gjithë natës në Shkodër, Prefektura apel qytetarëve: Kujdes nga rrëshqitjet dhe rënia e gurëve
Në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të situatës hidrometeorologjike, Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim dhe bashkërendim me bashkitë dhe strukturat përgjegjëse të Mbrojtjes Civile, informon se situata në territorin e qarkut paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme, pavarësisht reshjeve të vazhdueshme të shiut.
Bashkia Shkodër
Gjatë natës janë regjistruar reshje të vazhdueshme shiu. Nga komunikimi me të gjitha njësitë administrative, deri në këto momente nuk raportohen problematika serioze, me përjashtim të ndërprerjeve të energjisë elektrike në disa zona. Strukturat bashkiake vijojnë monitorimin e situatës në terren.
Bashkia Malësi e Madhe
Gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar. Deri në këto momente nuk raportohen problematika nga strukturat e Mbrojtjes Civile.
Bashkia Vau i Dejës
Vijojnë reshjet e shiut me intensitet mesatar deri të lartë. Aktualisht nuk raportohen problematika nga strukturat e Mbrojtjes Civile.
Bashkia Pukë
Vijojnë reshjet intensive të shiut, të shoqëruara me erëra të forta. Në rrugët rurale të Njësisë Administrative Qelëz janë konstatuar rrëshqitje të skarpatave dhe rënie gurësh, të cilat kërkojnë vëmendje të shtuar për sigurinë e qarkullimit.
Bashkia Fushë-Arrëz
Gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar. Raportohen rënie gurësh në segmente rrugore, si dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në Njësinë Administrative Blerim.
Situata e veprave ujore dhe niveleve hidrometrike
Sipas informacionit të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 48 mm reshje shiu, pa shkaktuar problematika në funksionimin e veprave kulluese dhe mbrojtëse nga uji.
Nivelet e ujit në lumin Drin, Liqenin e Shkodrës dhe digën e Shtodrit mbeten nën kuotat e rrezikut. Hidrovorët janë funksionalë dhe në gatishmëri për të operuar me kapacitet të plotë.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër vijon monitorimin dhe koordinimin e vazhdueshëm me të gjitha strukturat përgjegjëse, me vëmendje të veçantë ndaj zonave malore, sigurisë së akseve rrugore, furnizimit me energji elektrike dhe niveleve të ujërave.
U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, veçanërisht në akset rrugore malore ku janë evidentuar rënie gurësh dhe rrëshqitje të skarpatave.
Çdo zhvillim i situatës do të komunikohet në kohë.




