Roko Vata ishte pjesë e Irlandës në përballjen ndaj Kosovës, duke u aktivizuar për disa minuta në ndeshjen e zhvilluar mes dy përfaqësueseve. Sulmuesi me origjinë shqiptare ka zgjedhur tashmë të përfaqësojë Irlandën, duke mbyllur mundësinë për të luajtur në të ardhmen me Kombëtaren shqiptare.
Pas përfundimit të takimit, Vata ka rrëfyer disa nga emocionet dhe episodet e veçanta që përjetoi gjatë kësaj sfide. Mes tyre, ai veçoi momentin e takimit me gjyshen e tij, e cila e kishte ndjekur nga afër ndeshjen dhe ishte emocionuar së tepërmi.
“Gjyshja ime është irlandezja më krenare që mund të ekzistojë. Pas ndeshjes po e kërkoja nëpër tribuna, kur dëgjova zërin e saj që bërtiste mes turmës. E gjeta dhe ishte shumë e emocionuar”, tregoi sulmuesi.
Megjithatë, vëmendje të veçantë mori edhe një episod i ndodhur gjatë ndeshjes me futbollistët e Kosovës. Vata zbuloi se disa lojtarë kundërshtarë i ishin drejtuar me fjalë fyese, pasi kishin kuptuar origjinën e tij shqiptare.
“Kur isha në zonë dhe po përpiqesha të shpërqendroja portierin, ata kishin disa gjëra për të më thënë. Unë i kuptova. Më thanë: ‘Ti je shqiptar?’ dhe më pas më shanë. Unë iu përgjigja: ‘Po, nuk ka problem’”, rrëfeu ai.
Sulmuesi zbuloi se situata nuk mbeti me kaq, pasi pas përfundimit të takimit një prej futbollistëve që ishte përfshirë në episod shkoi në dhomat e zhveshjes për t’i kërkuar falje.
“Pas ndeshjes, ai lojtar erdhi dhe më kërkoi falje, gjë që ishte e bukur”, përfundoi Roko Vata.
Një episod që i dha një tjetër ngjyrim përballjes mes Kosovës dhe Irlandës, ndërsa për Vatën kjo sfidë kishte edhe një domethënie të veçantë për shkak të rrënjëve të tij shqiptare.
