Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se deri më tani nuk ekzistojnë prova që seria e ndërprerjeve teknike që kanë prekur ditët e fundit disa prej institucioneve dhe kompanive më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të jenë të lidhura mes tyre apo të kenë ardhur si rezultat i një sulmi kibernetik.
Komentet e Rubios vijnë pas problemeve të njëpasnjëshme që prekën Microsoft-in, bankat e mëdha amerikane, sistemin e kontrollit të trafikut ajror dhe Agjencinë Kombëtare të Sigurisë (NSA), duke shkaktuar shqetësime dhe kritika ndaj administratës së presidentit Donald Trump.
Ne nuk kemi asnjë provë apo arsye për të besuar se këto raste të izoluara lidhen me aktorë keqdashës, hakerë, kriminelë apo ndonjë shtet të huaj, deklaroi Rubio gjatë një udhëtimi zyrtar në Azi.
Presidenti Trump minimizoi shqetësimet lidhur me ndërprerjet, duke thënë se incidente të tilla janë të pashmangshme për sisteme të mëdha dhe komplekse.
Seria e ndërprerjeve nisi javën e kaluar, kur shërbimet e Microsoft-it, përfshirë email-et dhe aplikacionet e punës, dolën përkohësisht jashtë funksionit, duke prekur miliona përdorues. Kompania e lidhi problemin me një përmirësim të mëparshëm të kapacitetit të rrjetit.
Një ditë më vonë, fluturimet në të gjithë SHBA-në u ndaluan përkohësisht për shkak të problemeve në sistemin e kontrollit të trafikut ajror. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) tha se shkaku ishte një përditësim i ruterëve të rrjetit.
Më pas, klientë të disa prej bankave më të mëdha amerikane raportuan vështirësi në aksesimin e llogarive online dhe në kryerjen e transfertave përmes platformës Zelle. Sipas JP Morgan Chase, problemet u shkaktuan nga një gabim softuerik dhe nuk kishin lidhje me aktivitete kibernetike.
Po ashtu, United Airlines njoftoi se kishte zgjidhur një defekt të brendshëm të sistemit, i cili shkaktoi vonesa në nisjen e fluturimeve.
Të martën, jashtë funksionit doli edhe një rrjet i brendshëm i përdorur nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë për komunikimin e informacionit të klasifikuar. NSA tha se problemi ndodhi gjatë një procesi rutinë mirëmbajtjeje.
Autoritetet amerikane kanë këmbëngulur se nuk ka indikacione për një sulm të koordinuar kibernetik. Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, deklaroi se qeveria amerikane beson se incidentet janë shkaktuar nga përmirësime dhe procese sigurie që hasën vështirësi teknike ose kërkuan më shumë kohë sesa ishte parashikuar.