“Ti, a je shqiptar?”/ Rocco Vata zbulon si e provokuan futbollistët e Kosovës në debutimin e tij në Dublin

18 Nëntor 2026
10:30
Alfred Lleshi
back button

Rocco Vata zbuloi se lojtarët e Kosovës përdorën disa taktika të veçanta intimidimi ndaj tij, teksa ai debutoi në shtëpi me Irlandën, në fitoren vendimtare 3-0 të së martës mbrëma në Dublin.

Dy golat e Troy Parrott dhe goli i parë i Jack Moylan në fushën vendase me kombëtaren siguruan vendin e dytë në grup për Irlandën dhe një ndeshje (vajtje-kthim) në fazën “play-off” kundër Kroacisë, Uellsit, Serbisë ose Danimarkës, marsin e ardhshëm. Nëse fiton, Irlanda ngjitet në Ligën A.

Fitorja 3-0 në fushën vendase është gjithmonë rezultat për t’u vlerësuar, por rrethanat e bënë këtë një sukses veçanërisht të rëndësishëm për Irlandën dhe trajnerin e saj, Heimir Hallgrímsson.

Për Rocco Vata, i cili u aktivizua si zëvendësues në pjesën e dytë, kjo ndeshje ishte edhe më e veçantë, pasi bëri paraqitjen e tij të parë në nivel kombëtar në tokën irlandeze.

Vata, i lindur në Shqipëri, u gjend në një situatë të pazakontë, pasi zbuloi pas ndeshjes se mbrojtësit e Kosovës e kishin vënë në shënjestër me fjalë fyese në gjuhën shqipe gjatë minutave të fundit.

Rocco Vata ka rrënjë të forta shqiptare. Babai i tij, Rudi, e ka përfaqësuar Shqipërinë në nivelin e kombëtares A. Për këtë arsye, ai flet shqip, që është gjuhë zyrtare edhe e Kosovës.

I could hear her screaming' - Rocco Vata hails Dublin debut for Ireland in  front of 'proudest Irish person' granny

Duke folur për “Balls.ie” dhe mediat irlandeze pas ndeshjes në stadiumin “Aviva”, Vata zbuloi se disa prej mbrojtësve të Kosovës e shfrytëzuan këtë fakt kur ai u aktivizua në minutat e fundit të takimit të së martës.

“Kur isha në zonë dhe po përpiqesha të shpërqendroja portierin, ata patën disa gjëra për të më thënë. I kuptova, – tha Vata. – Po, më shanë pak. Më thanë: Ti, a je shqiptar? Më pas më shanë. Unë iu thashë: Po, nuk ka problem. Më kërkuan falje pas ndeshjes, gjë që ishte e bukur”.

Taktika dinake, teksa Vata ishte sigurisht në një pozicion të veçantë krahasuar me shokët e tij të kombëtares irlandeze, pasi mund t’i kuptonte ato fjalë.

Ishte një mbrëmje e veçantë për 21-vjeçarin, i cili regjistroi ndeshjen e tij të katërt me kombëtaren A, por të parën në tokën irlandeze.

Vata zbuloi se gjyshja e tij ishte pjesëtarja më e zëshme e familjarëve që e shoqëronin në stadiumin “Aviva”, në një mbrëmje të veçantë për familjen e tij. “Kisha 8 persona lart në sallën VIP, – tha Vata. – Gjyshja ime është personi më krenar irlandez që ekziston. Po e kërkoja pas ndeshjes dhe mund ta dëgjoja duke bërtitur mes turmës. E gjeta dhe ajo ishte shumë e emocionuar. Ajo kishte ardhur edhe në ndeshjen e fundit në shtëpi ku isha pjesë e skuadrës, por nuk u aktivizova. Ishte shumë e lumtur.

Sigurisht, familja ime i ndoqi dy ndeshjet në grumbullimin e fundit dhe debutimin tim dy sezone më parë. Ata nuk kishin ardhur kurrë të më shihnin nga afër kur aktivizohesha për Irlandën, ndaj ishte një moment i veçantë”.

Paraqitja e Vatës zgjati vetëm pak minuta, por ishte një moment vërtet i veçantë për të riun, i cili e shënoi debutimin në shtëpi me një nga fitoret më të rëndësishme të Irlandës në vitet e fundit.

Rising Star Rocco Vata Eyes Big Move in His Career

“Është diçka jashtëzakonisht e veçantë për mua personalisht dhe për skuadrën, – shtoi Vata. – Nëse do të më thonin para ndeshjes se do të fitonim 3-0, do ta pranoja me kënaqësi në çdo moment. Për më tepër, ishte debutimi im në shtëpi dhe atmosfera e tifozëve qe e pabesueshme.

Ishte një nga stadiumet me numrin më të madh të tifozëve para të cilëve kam luajtur prej shumë kohësh, nëse jo stadiumi me më shumë tifozë ndonjëherë. Jam jashtëzakonisht i lumtur”.

Kjo vjen në një periudhë të vështirë për anësorin e lindur në Glasgow, sa i përket karrierës në nivel klubesh. Mundësitë për të luajtur kanë qenë të pakta për Vata, i cili ka humbur vendin në formacionin e Watford pas një sezoni të kaluar të karakterizuar nga dëmtimet. Që nga dritarja e parë e Ligës së Kombeve, ai ka luajtur vetëm 38 minuta futboll me klubin.

Pavarësisht gjithçkaje, ai tha se trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, kishte qenë një udhërrëfyes i shkëlqyer për të. “Muajt e fundit, thjesht kam pritur me padurim të vija këtu, – pranoi Vata. – Ndihem menjëherë plot besim. Heimir është shumë i mirë në menaxhimin e lojtarëve. Ai di të japë këshilla konkrete që të ndihmojnë në lojën tënde dhe të mbushin me besim.

Their players said to me, you're Albanian' — Ireland's rising star Rocco  Vata proud of home debut in front of his 'emotional' gran | Irish  Independent

Këtë mëngjes pata një bisedë të mirë me Heimir, që zgjati rreth 45 minuta. Folëm thjesht për mënyrën se si duhet ta përballoj situatën. Më duhet vetëm të përqendrohem te puna dhe të vazhdoj të punoj sa më fort që të mundem.

Sigurisht, sezoni i kaluar ishte vërtet i vështirë, pasi pata dy dëmtime radhazi, por tani ndiej se po rikthehem edhe më mirë, jo thjesht në të njëjtin nivel, por edhe më mirë se sezonin e kaluar. Ndihem më i fortë”.

Kohët mund të jenë të vështira për Rocco Vata, por qartësisht ai është një lojtar që Heimir Hallgrímsson e vlerëson jashtëzakonisht shumë. Duke parë marrëdhënien mes tyre, pritet që talenti i ri i Irlandës të regjistrojë edhe shumë ndeshje të tjera me kombëtaren A në vitet që vijnë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit