Xi dhe Putin kundër sanksioneve, përpara takimit me Trump
Presidenti kinez Xi Jinping u zotua të kundërshtojë proteksionizmin tregtar, ndërsa homologu i tij rus, Vladimir Putin, kritikoi sanksionet perëndimore, në prag të një takimi trepalësh me presidentin amerikan Donald Trump.
Dy udhëheqësit mbajtën fjalime në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në qytetin kinez Shenzhen, përpara mbërritjes së Trump nga Manila.
Takimi i tre liderëve, i parashikuar për të enjten, pritet të trajtojë luftërat në Ukrainë dhe Iran, si dhe çështje të tjera të rëndësishme, përfshirë tregtinë ndërkombëtare, inteligjencën artificiale dhe armët bërthamore.
Në fjalimin e tij, Xi bëri thirrje për mbështetjen e tregtisë së lirë dhe investimeve ndërkombëtare, duke u përpjekur ta paraqesë Kinën si një partner të qëndrueshëm ekonomik, në kontrast me politikat tarifore të Shteteve të Bashkuara.
Deklaratat e tij vijnë pasi Uashingtoni njoftoi kufizime të mëtejshme për aksesin e Kinës në çipat e avancuar të inteligjencës artificiale, përfshirë teknologjitë e kompanive si Nvidia. Pekini ka paralajmëruar masa kundërpërgjigjeje.
Partnerët tregtarë perëndimorë e kanë kritikuar Kinën për suficitin e saj tregtar vjetor, që tejkalon 1 trilion dollarë, dhe për politikat që favorizojnë prodhimin vendas. Sipas tyre, dominimi i Kinës në zinxhirët globalë të furnizimit mund të përdoret edhe si instrument ndikimi gjeopolitik.
Xi deklaroi se Kina do të vazhdojë investimet në industri dhe teknologji, do të ulë tarifat dhe do të hapë më tej tregjet e saj.
Ndërkohë, Putin argumentoi se sanksionet perëndimore nuk kanë arritur ta dobësojnë ekonominë ruse. Ai kritikoi përdorimin e tarifave dhe kufizimeve të eksportit si instrumente presioni ekonomik, duke theksuar se ato nuk mund të ndalojnë zhvillimin e ekonomive konkurruese.
Takimi i pritshëm mes Xi, Putin dhe Trump ka nxitur krahasime me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, kur fuqitë e mëdha përcaktuan pjesë të rendit ndërkombëtar të pasluftës.
Këto krahasime kanë shtuar shqetësimet e vendeve më të vogla, veçanërisht në Europë dhe Azi, se marrëveshjet mes fuqive të mëdha mund të arrihen pa marrë parasysh interesat e tyre të sigurisë.
Megjithatë, analistët presin që marrëdhëniet ekonomike mes Uashingtonit dhe Pekinit të mbeten relativisht të qëndrueshme, pavarësisht tensioneve tregtare dhe teknologjike./REUTERS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









