Rreth 20 anëtarë të fisit indigjen Awá, që jetonin në izolim vullnetar në pyllin tropikal të Amazonës, janë shfaqur papritur të hënën në një fshat në Brazil. Shfaqja shkaktoi shqetësim te grupet indigjene për kushtet që mund t’i kenë shtyrë të largohen nga pylli. Sipas OJQ-së Survival International, ata mbërritën në një fshat në zonën e mbrojtur indigjene Arariboia, në shtetin verilindor të Maranhão.
Ky është një nga rastet e rralla kur fisi i izoluar Awá del nga pylli dhe kontakton me të jashtmit, dhe rrethanat e shfaqjes mbeten të paqarta për autoritetet. Fisi i izoluar Awá jeton në izolim vullnetar dhe çdo kontakt i paplanifikuar me të jashtmit paraqet rrezik për shëndetin e tyre, sipas organizatave indigjene.
Zona është gjithashtu shtëpia e anëtarëve të fisit Guajajara, të cilët i mirëpritën vizitorët dhe u ofruan ushqim. “Ata kërkuan patate të ëmbla dhe i morën me vete në pyll”, njoftoi Survival International, duke e cilësuar takimin e shkurtër. Videoja e regjistruar nga fshatarët dhe e publikuar nga e njëjta organizë tregon burra, gra dhe fëmijë në buzë të pyllit, trupat pjesërisht të fshehur nga bimësia e dendur, të zhveshur dhe me varëse, ndërsa burrat mbajnë harqe dhe shigjeta të gjata.
Gjendja shëndetësore e disa prej tyre, veçanërisht e fëmijëve dhe e të moshuarve, tërhoqi vëmendjen e veçantë të fshatarëve. Coapima, organizata që përfaqëson komunitetet indigjene në shtetin e Maranhão, paralajmëroi se “gjendja fizike e disa anëtarëve të grupit, veçanërisht e fëmijëve dhe e të moshuarve, ka shkaktuar shqetësim tek fshatarët, të cilët kanë vënë re shenja të qarta të dobësimit të rëndë”.
E njëjta organizatë theksoi se kontakti i paplanifikuar me njerëz jashtë komunitetit paraqet rreziqe serioze për shëndetin. Popullatat e izoluara janë veçanërisht të ndjeshme ndaj sëmundjeve ndaj të cilave kanë pak ose aspak imunitet. Sipas drejtorit të Survival International, Caroline Pearce, territoret e Awáve po cenohen nga të gjitha anët dhe grupi po shtrëngohet në një hapësirë gjithnjë më të ngushtë pylli.
Komunitetet e izoluara indigjene në Amazonë, sipas të njëjtit burim, janë nën presionin e aktiviteteve të paligjshme të minierave, të prerjes së drurëve, të gjuetisë dhe të blegtorisë në vitet e fundit.
