Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim administratoren A.N. dhe pronarin Ll.N. të kompanisë “Nika” sh.p.k., të dyshuar për fshehje të të ardhurave dhe falsifikim dokumentesh. Për të dy personat është caktuar masa e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Hetimet nisën pas kallëzimit të njërit prej bashkëortakëve të kompanisë, i cili pretendoi se vëllai i tij, Ll.N., kishte falsifikuar nënshkrimin e tij në disa vendime të asamblesë së ortakëve, duke i paraqitur ato si dokumente të miratuara dhe të nënshkruara rregullisht.
Gjatë kontrollit tatimor në ambientet e kompanisë, autoritetet zbuluan përdorimin e dy sistemeve të ndryshme të mbajtjes së të dhënave kontabël. Njëri përmbante fatura të brendshme të lëshuara, por të pafiskalizuara, ndërsa tjetri faturat e fiskalizuara.
Sipas Prokurorisë, nga hetimi tatimor është përcaktuar një detyrim në principal prej 11.707.612 lekësh. Dyshohet se kompania mbante regjistrime paralele të shitjeve reale dhe deklaronte vlera më të ulëta, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Përgjegjësia për fshehjen e të ardhurave i atribuohet administratores A.N., ndërsa pronari Ll.N. akuzohet për falsifikim dokumentesh, në formën e përdorimit të dokumentit të falsifikuar.












