Kuvend/ Rama i përgjigjet opozitës: Historik rekomandimi i KE për nisjen e përgatitjeve për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në BE në 2027
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave të opozitës gjatë seancës plenare në Kuvend, ku po shqyrtohen në parim projektbuxheti i vitit 2027 dhe paketa fiskale.
Në fjalën e tij, Rama iu referua raportit të progresit të Bashkimit Europian, duke e cilësuar rekomandimin për nisjen e përgatitjeve për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë si një dëshmi të ecurisë së procesit të integrimit.
Kreu i qeverisë deklaroi se Komisioni Europian i ka rekomanduar Këshillit Europian që gjatë vitit 2027 të nisin përgatitjet për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Në raportin e progresit të BE ka një togfjalësh që i thotë të tëra arsyet pse ne jemi krenarë për punën tonë dhe pse duhet dhe do ta vazhdojmë deri në fund punën tonë dhe pse askush tjetër nuk e bë dot punën tonë. Komisioni Euriopian i rekomandon Këshillit Europian që në vitin 2027 të nisë përgatitjet për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nuk ka asnjë mundësi dhe nuk ka asnjë lloj shansi që një rekomandim i tillë historik t’i bëhet Këshillit nga Komisionit Europian në rast se vendi do të ishte ai që përpiqen me këmbë e me duar, britma ata që në këtë sallë kërkojnë edhe që të diskutohet për protestën”, tha Rama.
Seanca plenare nisi mes tensioneve, ndërsa deputetët e opozitës braktisën sallën në momentin kur kryeministri Edi Rama mori fjalën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




