Lajmi i fundit

LIVE - Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare, diskutohet projektbuxheti 2027

Samiti Xi-Trump-Putin: Kur fuqitë e mëdha duan të vendosin për gjithçka, ç'do të thotë kjo për të tjerët?

Samiti Xi-Trump-Putin: Kur fuqitë e mëdha duan të vendosin për gjithçka, ç'do të thotë kjo për të tjerët?

10:26, 18/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alexander Korolev – The Conversation/

Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Donald Trump do të takohen të enjten, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që mbahet në Shenzhen të Kinës.

Ky takim është padyshim i pazakontë. Është një mundësi shumë e rrallë që liderët e tri fuqive më të mëdha botërore të shkëmbejnë drejtpërdrejt mendime për çështjet kryesore globale.

Takimi është krahasuar me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt, kryeministri britanik Winston Churchill dhe lideri sovjetik Josip Stalin u mblodhën për të ndarë botën në sfera influence pas Luftës së Dytë Botërore.

Por ky nuk është një version i dytë i Jaltës. As samiti i Shenzhenit nuk është një ngjarje e izoluar. Në maj të këtij viti, Xi priti në Pekin, njëri pas tjetrit, vizitat e Trump-it dhe Putinit. Trump ia ktheu vizitën duke pritur Xi-në në Uashington në shtator, ndërsa vitin e kaluar u takua me Putinin në Alaskë.

Të marra së bashku, këto zhvillime tregojnë një largim më të gjerë nga qasja e pas Luftës së Ftohtë, e cila mbështetej te institucionet globale dhe konsultimet shumëpalëshe, drejt një mënyre më të personalizuar të menaxhimit të marrëdhënieve mes fuqive të mëdha.

Kjo pritet të bëhet normaliteti i ri: një botë ku Kina, Rusia dhe SHBA-ja veprojnë si një komitet informal drejtues për çështjet globale, ndërsa Europa dhe fuqitë e tjera të mesme mbeten gjithnjë e më shumë në periferi.

Kush ftohet në tryezë?

Edhe pse Kina, Rusia dhe SHBA-ja mbeten rivale strategjike, ato po ndajnë gjithnjë e më shumë të njëjtin këndvështrim për mënyrën se si duhet të zhvillohet politika ndërkombëtare: më pak përmes institucioneve dhe koalicioneve dhe më shumë përmes kontakteve të drejtpërdrejta mes një numri të vogël fuqish të mëdha.

Kjo nuk është aspak një aleancë formale, madje as mes Kinës dhe Rusisë, dhe as një përpjekje e koordinuar për të riformuar sistemin ndërkombëtar. Përkundrazi, ajo pasqyron prirjen e përbashkët për t'ua lënë fuqive të mëdha menaxhimin e çështjeve ndërkombëtare.

Të tria vendet mbështesin një rend botëror ku fuqitë e mëdha gëzojnë të drejta të veçanta dhe një rol më të privilegjuar në përcaktimin e vendimeve. Ato duan t'i negociojnë drejtpërdrejt çështjet kryesore, duke kufizuar përfshirjen e të tjerëve. Qoftë kur bëhet fjalë për luftën, sigurinë apo stabilitetin ekonomik, fuqitë e mëdha duket se po zgjedhin gjithnjë e më shumë diplomacinë e drejtpërdrejtë në nivelet më të larta, duke anashkaluar kanalet institucionale.

Për shembull, Rusia dhe SHBA-ja sapo përfunduan në Abu Dhabi raundin e tretë të bisedimeve të paqes për këtë vit, me synimin për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Edhe pse Ukraina mori pjesë në diskutime, negociatorët europianë nuk ishin të pranishëm.

Në një botë të tillë, fuqia nuk përcakton vetëm rezultatet, por edhe se kush ftohet në tryezë kur diskutohen vendimet.

Europa gjithnjë e më shumë në periferi

Viktima më e dukshme e këtij zhvillimi është Europa.

Gjatë bisedimeve në Abu Dhabi javën e kaluar, delegacioni rus bëri të qartë se kërkonte një arkitekturë të re sigurie për Europën, të bazuar në modelin e sferave të influencës që ekzistonin gjatë Luftës së Ftohtë. Trump ka lënë gjithashtu të kuptohet se kjo është një mundësi, duke thënë se SHBA-ja po punonte për një marrëveshje të madhe për t'i dhënë fund luftës, ku do të përfshihej "e gjithë Europa".

Pas bisedimeve, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Jared Kushner, tha se Uashingtoni dëshironte që Europa të ishte pjesë e procesit. Megjithatë, ai shtoi se gjetja e dikujt që mund të fliste në mënyrë bindëse në emër të Europës mund të ishte më e vështirë sesa bindja e Rusisë për ta përfshirë atë. Një deklaratë mjaft provokuese.

Këto komente kanë ngritur alarmin në Europë dhe kanë përforcuar perceptimin në rritje se kontinenti është gjithnjë e më i përçarë dhe i margjinalizuar në politikën globale.

Megjithatë, më domethënëse është se Xi pranoi përfundimisht të marrë pjesë në samitin trepalësh në Shenzhen. Duke parë se Europa u la jashtë bisedimeve në Abu Dhabi, vendimi i tij për t'u takuar me Trump-in dhe Putinin rrezikon t'i japë legjitimitet këtij përjashtimi, edhe nëse Ukraina nuk është në rendin e ditës.

Kjo e vë Kinën në një pozitë të sikletshme, pasi Xi ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e një bote shumëpolare dhe ka kritikuar politikën e stilit të Luftës së Ftohtë, ku vendimet dominohen nga disa fuqi të mëdha. Pekini ka këmbëngulur edhe më parë se Europa duhet të jetë "në tryezë" gjatë diskutimeve për Ukrainën.

Megjithatë, Xi ka pranuar të takohet me Trump-in dhe Putinin. Për më tepër, Ministria e Jashtme e Kinës e cilësoi samitin si një ngjarje me "rëndësi historike". Sipas saj, tre liderët do të "shkëmbejnë mendime në mënyrë të thelluar për ruajtjen e paqes botërore dhe nxitjen e stabilitetit strategjik në marrëdhëniet mes fuqive të mëdha".

Kjo tregon se Pekini pranon një model diplomacie të përqendruar te fuqitë e mëdha, ku të tjerët mbeten jashtë.

Dhe kjo krijon një realitet të pakëndshëm për Europën.

Europa mbetet një nga qendrat më të mëdha ekonomike dhe teknologjike në botë, por e ka të vështirë ta kthejë këtë peshë në një zë të përbashkët strategjik, që të ketë ndikim në arenën globale.

Simbolika e takimit në Shenzhen është domethënëse. Tre liderë do të diskutojnë çështje që ndikojnë në të ardhmen e Europës. Por, edhe një herë, vetë Europa nuk do të jetë e pranishme.

Kundërstrategjia e fuqive të mesme

Megjithatë, rikthimi i diplomacisë mes fuqive të mëdha nuk do të thotë se fuqitë e mesme janë të parëndësishme. Vendet europiane, Kanadaja, Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe vendet kryesore të Azisë Juglindore mund të mos kenë kapacitetet ushtarake apo peshën gjeopolitike për të ndryshuar shpërndarjen e fuqisë në sistemin ndërkombëtar.

Por ato kanë ende institucione, rrjete bashkëpunimi dhe koalicione. Mund të ndihmojnë në përcaktimin e rregullave ndërkombëtare, ruajtjen e institucioneve dhe krijimin e partneriteteve që mund të kufizojnë ndikimin e shteteve më të fuqishme.

Thirrja e kryeministrit kanadez Mark Carney për bashkëpunim më të ngushtë mes fuqive të mesme pasqyron pikërisht këtë logjikë. Në vend që të zgjedhë njërën palë në rivalitetin mes fuqive të mëdha, ai ka pranuar nevojën për të "mos u shtirur, për të pranuar realitetin", ndërsa synon të "ndërtojë koalicione funksionale, çështje pas çështjeje, me partnerë që kanë mjaftueshëm interesa të përbashkëta për të vepruar së bashku".

Sa më shumë të përqendrohet pushteti global në duart e disa liderëve, aq më e fortë bëhet nevoja që fuqitë e mesme të bashkëpunojnë. Ato vështirë se mund të përcaktojnë drejtimin e përgjithshëm të rendit botëror, por mund të ndikojnë ende te rregullat, normat dhe institucionet mbi të cilat funksionon ky rend.

Prandaj, pyetja që ngre samiti i Shenzhenit nuk është nëse një grusht fuqish të mëdha do të vazhdojnë të ushtrojnë ndikim të jashtëzakonshëm. Kjo është e sigurt. Pyetja është se si do të reagojë pjesa tjetër e botës. /The Conversation – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco