Kreu i PD, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se pasuria e tij e depozituar në bankat offshore ka arritur në të paktën 2 miliardë euro.
Në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, Berisha deklaroi se Rama ka njerëzit e tij në çdo sektor të ekonomisë dhe prokurimeve publike, duke përmendur Ergys Agasin dhe duke e akuzuar kryeministrin për ngritjen e një skeme përfitimi përmes tenderave dhe fondeve publike.
Berisha komentoi edhe të dhënat e EUROSTAT-it mbi të ardhurat dhe varfërinë në Shqipëri, duke pretenduar se rritja e të ardhurave për frymë nuk pasqyron realitetin ekonomik të qytetarëve.
Sipas tij, shifrat ndikohen nga rënia e popullsisë dhe zhvlerësimi i dollarit, ndërsa shqiptarët vijojnë të përballen me kosto të larta jetese dhe me një nivel shpenzimesh për ushqime shumë më të lartë se mesatarja europiane.
Berisha: Tani ju e dëgjuat së fundmi raportin e EUROSTAT-it.
Shqipëria është i vetmi vend në botë që të ardhurat për frymë shtohen, por varfëria rritet sepse të ardhurat për frymë të shtuara janë falsifikuara.
Pse janë fake?
Për arsye se Fondi Monetar ka pjesëtuar produktin e përgjithshëm bruto me një numër shumë të vogël shqiptarësh, me 500 mijë shqiptarë më pak.
Dhe kjo ka bërë që nga vjet gjer sivjet, të ardhurat të duken 1 mijë dollarë më shumë.
Pse janë rritur të ardhurat?
Të ardhurat janë rritur se dollari ka pësuar një zhvlerësim nga narkodollarët prej 35 përqind.
Po pse janë varfëruar shqiptarët?
Shqiptarët janë varfëruar se me të ardhurat e disponueshme, thotë EUROSTAT-i, ata duhet të shpenzojnë 108 përqind më shumë se sa evropianët. Ndërkohë që maqedonasit shpenzojnë për ushqime 68 përqind të asaj sa shpenzojnë qytetarët evropianë.
Pra, siç e shihni edhe rritja në fatkeqësi, në varfëri dhe mjerim.
Të ardhurat e shqiptarëve grabiten në mënyrën më të paskrupullt nga lukunia, nga organizata kriminale që quhet qeveri dhe Padrino i cili ka Gysët.
Mos harroni një gjë, Ergys Agasë, Edi Rama ka në çdo sektor të prokurimeve dhe ekonomisë. Po.
Ato që vidhte me Gysin tek AKSHI, ato i vjedh me Gysin e shëndetësisë, me Gysin e energjetikës, me Gysin e infrastrukturës. Pra, në të gjitha fushat ai ka Gysët e vet.
Pra të ardhurat e tij në bankat offshore, të cilat sipas OSBE në vitin 2014 ishin 200 milionë, sot kanë kaluar në të paktën minimumi 2 miliardë euro.
Por unë zotohem para shqiptarëve se do gjenden.
Fatmirësisht gjurmët janë.
Dhe ai prandaj ishte si i ngordhur. E patë se si i kishte rënë çehrja e meitit?














