Kontributi i komuniteteve është pjesë e zhvillimit dhe arritjeve të Kosovës, tha kryeministri Albin Kurti në edicionin e gjashtë të samitit rajonal “Për luftimin e diskriminimit racor ndaj komuniteteve”. Ai e cilësoi takimin dëshmi të përkushtimit për barazi dhe dinjitet njerëzor.
Sipas Kurtit, përfshirja e komuniteteve në shoqëri lidhet me të drejtat e qytetarëve dhe nuk duhet trajtuar si privilegj.
Të lidhura
None found
“Samiti dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm ndaj barazisë, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor, si dhe angazhimin e pandërprerë që vetëm rritet, sepse barazia nuk arrihet një herë e përgjithmonë. Ajo ndërtohet, mbrohet dhe përparon çdo ditë. Përfshirja e komuniteteve është çështje e të drejtave të qytetarëve dhe përgjegjësive të institucioneve, jo privilegj apo favorizim”, u shpreh Kurti.
Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, e përgëzoi Qeverinë për organizimin e samitit dhe tha se luftimi i diskriminimit racor ndaj komuniteteve është temë e rëndësishme për vendin e saj. Ajo vlerësoi se takimi u jep partnerëve të Ballkanit mundësinë të nxisin përfshirjen dhe të ndajnë përvojat e tyre.
Cattin Hennin tha se edicioni i gjashtë pasqyron një angazhim të qëndrueshëm për dialog, bashkëpunim rajonal dhe veprim të përbashkët. Sipas saj, partnerët e Ballkanit Perëndimor mund të shfrytëzojnë samitin për të çuar përpara përfshirjen, për të ndarë përvoja, për t’u përballur me sfida të përbashkëta dhe për të forcuar përgjigjet rajonale.
“Diskriminimi dhe antiziganizmi vijojnë të pengojnë mundësitë e barabarta dhe pjesëmarrjen e plotë në shoqëri të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë. Përballja me këto sfida është e rëndësishme jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave themelore, por edhe për krijimin e një shoqërie më kohezive, elastike dhe të begatë”, tha ambasadorja.
Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrisë, vuri në dukje se zbatimi praktik i politikave të mira për komunitetet mbetet sfidë, veçanërisht në nivel lokal.
“Për t’i garantuar të drejtat dhe mundësitë e barabarta për çdo qytetar, duhet të rrisim përgjegjësinë institucionale, koordinimin dhe mbështetjen buxhetore. Zyra për Çështje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit do të vijojë të forcojë bashkërendimin mes institucioneve në nivel qendror dhe lokal”, u shpreh Hajredini.
Në samit morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe të shoqërisë civile.







