Luftimi i diskriminimit dhe përfshirja e komuniteteve, në fokus të samitit rajonal në Kosovë
Në edicionin e gjashtë të samitit rajonal "Për luftimin e diskriminimit racor ndaj komuniteteve", kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se kontributi i komuniteteve në Kosovë është edhe pjesë e situatës dhe sukseseve të vendit, derisa potencoi se ky samit është dëshmi e përkushtimit për barazi e dinjitet njerëzor.
Kurti vlerësoi se përfshirja e komuniteteve në shoqëri është çështje e të drejtave të qytetarëve dhe jo çështje privilegji.
"Ky samit është dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm për barazi, drejtësi dhe dinjitet njerëzor, por edhe për angazhim të pandërprerë që vetëm sa shtohet, meqënëse barazia nuk arrihet njëherë e përgjithmonë. Ajo ndërtohet, mbrohet dhe avancohet çdo ditë...Përfshirja e komuniteteve është çështje e të drejtave të qytetarëve dhe e detyrave të institucioneve, jo e privilegjit apo e favorizimit", tha Kurti.
Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin tha se luftimi i diskriminimit racor ndaj komuniteteve është një temë e rëndësishme për Zvicrën dhe përgëzoi Qeverinë për organizimin e këtij samiti.
Ajo tha se ky samit ofron mundësi të mirë për të gjithë partnerët e Ballkanit për të avancuar përfshirjen e komuniteteve dhe shkëmbimin e përvojave.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrisë, Habit Hajredini tha se ende është sfiduese zbatimi i politikave të mira për komunitetet në praktikë, e në theks më të veçantë në nivel lokal.
Në këtë samit morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile./KP















