Kreu i PD, Sali Berisha, ka mbajtur sërish fjalën e tij në Kuvend, ku nuk ka kursyer kritikat dhe akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama.
Berisha bën përgjegjësin kryesor kryeministrin Rama për korrupsionin në vend, trafikun e drogës dhe keqqeverisjes.
“Ia mbathi… Siç e patë vetë, Padrino ia mbathi me bisht ndër shalë, sepse e di që kjo është hera e fundit që ai paraqet buxhet në këtë sallë. Ia mbathi si hajduti më i madh i kombit shqiptar në histori. Ia mbathi si një kufomë e pakallur, e cila është e pushtuar nga frika deri në palcë dhe nga mosbesimi gjer në qiell…
Ia mbathi sepse e kanë mbërthyer për fyti krimet që ka kryer. Nuk rri dot, ua ka lënë këtyre… Shihini vetë anëtarët e tjerë të organizatës.
Para jush sot u paraqit njeriu që do ta mbyllë qeverisjen e tij me akte turpi dhe me krimet më të rënda ndaj shqiptarëve.
Edi Rama ndërtoi në këtë vend narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, ndërtoi republikën e narkoeurove dhe narkobetonit. Dhe me këtë faktor shkatërroi në mënyrë të rrufeshme ekonominë shqiptare dhe qenien shqiptare.
Ka vende në të cilat kryeministrat abuzojnë, ka vende në të cilat kryeministrat mund të jenë të korruptuar, por ka vetëm një vend në Evropë në të cilin kryeministri ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm, e shndërroi Shqipërinë në eksportuese të kanabisit dhe vendosi bashkëpunimin e policisë me kartelet.
Ka nxjerrë këtë vit qindra e qindra thasë me lekë të prera për të blerë eurot. Ka blerë 1 miliard euro. Ka rritur çmimet në kurriz të qytetarëve”, tha ai.
