Ardhja e Krasniqit në Kosovë lidhet me gjendjen shëndetësore të bashkëshortes së tij, për të cilën ai ka marrë leje të posaçme nga Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se vizita është lejuar për shkak të rrethanave të forta humanitare, ndërsa administrata e gjykatës është udhëzuar që të organizojë dhe menaxhojë qëndrimin e tij në Kosovë.

AD PLACEHOLDER

Ndërkohë, në lagjen ku ndodhet shtëpia e Krasniqit janë vendosur forca policore. Pranë objektit janë parë edhe ekipe të EULEX-it, ndërsa gazetarët dhe ekipet televizive që po përcjellin zhvillimet nga afër nuk po lejohen t'i afrohen shtëpisë së tij.

Sipas informacioneve të deritanishme, Krasniqi do të qëndrojë në Kosovë deri në orën 17:00, pas së cilës pritet të kthehet në Hagë.

Kjo është hera e dytë që Krasniqi vjen në Kosovë që nga transferimi i tij në Hagë. Herën e parë, ai kishte ardhur në vendlindje pas vdekjes së vëllait të tij.

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se kjo është vizita e 15-të e këtij lloji që është lejuar nga gjyqtarët për të paraburgosurit, për arsye humanitare.

Vizitat e tilla bazohen në Rregullën 56 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara, si dhe në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.