Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja të shitjes së karburanteve, të cilat do të hyjnë në fuqi nga ora 13:30 e datës së sotme.
Sipas vendimit të fundit, nafta do të shitet me pakicë jo më shumë se 204 lekë për litër, ndërsa benzina me 163 lekë për litër. Çmimi i gazit për automjetet është caktuar në 71 lekë për litër.
Njoftim për shtyp
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 18 Nëntor 2026, vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 204 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 192 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 163 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 151 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 ekë/litër për automjetet.
Gjithashtu, çmimi i gazoilit për aktivitetin e peshkimit do të jetë 109 lekë/litër.