Kryeministri Edi Rama e vuri theksin te mbështetja për qytetarët me të ardhura të ulëta gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, ku prezantoi buxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2027. Ai veçoi uljen e TVSH-së për 54 produkte të shportës ushqimore, duke e paraqitur këtë ndërhyrje si një lehtësim për ekonomitë familjare.
Gjatë deklaratës së tij, Rama u shpreh se Partia Socialiste ka në fokus shtresat me të ardhura më të pakta.
“Ne mbetemi ata që ishim që në ditën e parë, besnikë të asaj që jemi, sa kohë i përkasim kësaj partie të mbledhur dhe fuqizuar ndër vite rreth atij trëndafili që është simboli ynë, që do të thotë se ne jemi partia që mendojmë në radhë të parë për ata që fitojnë më pak”, deklaroi Rama.
Megjithatë, deklarata e tij për vëmendjen ndaj shtresave më të dobëta ekonomike vihet në kontrast me treguesit e fundit mbi shpërndarjen e të ardhurave në vend. Të dhënat e Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw) tregojnë se Shqipëria ka performancën më të dobët në Ballkanin Perëndimor sa i përket pjesës së të ardhurave që përfitojnë qytetarët më të varfër.
Sipas statistikave për vitin 2025, 20% e popullsisë me të ardhurat më të ulëta në Shqipëri përfitonte vetëm 3.6% të të ardhurave totale të disponueshme, pra pas zbritjes së taksave dhe përfshirjes së transfertave sociale.
Shifra është dukshëm më e lartë në vendet e tjera të rajonit. Në Kosovë, 20% e popullsisë më të varfër përfiton 6.6% të të ardhurave, ndërsa në Malin e Zi kjo pjesë arrin në 4.4%. Në Bosnjë-Hercegovinë regjistrohet 4.3%, në Serbi 4.1% dhe në Maqedoninë e Veriut 4%.
Diferenca mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit nxjerr në pah pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave dhe ngre pikëpyetje mbi ndikimin real të politikave fiskale e sociale në përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjeve në nevojë.
Në këtë kontekst, deklaratat e kryeministrit për mbështetjen e qytetarëve me të ardhura të ulëta përballen me një realitet ekonomik që tregon se kjo kategori në Shqipëri merr pjesën më të vogël të të ardhurave të disponueshme krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.