Nelson Hysa mesazh Kabayel para duelit: Preferoj t’i mbyll gjërat shpejt, 92% të fitoreve i kam me KO

18 Nëntor 2026
12:20
Telesport
back button

Dita e madhe për duelin e peshës së rëndë në boks, kategoria WBC, mes boksierit gjerman Agit Kabayel dhe atij shqiptar Nelson Hysa po afron. Sfida do të zhvillohet më 28 nëntor në Duseldorf, në një ditë të veçantë për shqiptarët, Ditën e Pavarësisë.

“Pas çdo momenti të madh që shihet në ring, fshihet një rrugëtim i gjatë që pak kush e njeh nga afër. Ditë të tëra stërvitjeje, sakrifice, disipline dhe larg familjes e vendit tim. Çdo ditë në këtë kamp ka pasur një qëllim të vetëm: të përgatitem sa më mirë për sfidën më të madhe të karrierës sime”, tha Nelson Hysa.

Më tej, në një mesazh në rrjetet sociale, Hysa thumbon rivalin e tij gjerman se nga 25 fitoret e arritura në karrierën e tij (asnjë humbje), ka një përqindje shumë të lartë fitoresh me KO, 92% të tyre.

“92% përqindje nokauti. Disa njerëz e çojnë ndeshjen deri në fund. Unë preferoj t’i mbyll gjërat shpejt. Shifrat nuk gënjejnë”, tha Hysa, që shton: “Nuk është thjesht çështje force fizike, por karakteri, përkushtimi dhe besimi në ëndrrën që ndjek”.

“Më 28 nëntor nuk do të jem vetëm në ring. Do të mbaj mbi supe krenarinë e një kombi dhe flamurin që më ka shoqëruar në çdo hap të këtij rrugëtimi. Një ëndërr. Një flamur. Një histori për t’u shkruar! Më 28 nëntor le të bëjmë histori”, tha Nelson Hysa.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit