Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka folur me një gjuhë të ashpër kundër mazhorancës gjatë diskutimeve për Buxhetin 2027 në Kuvend, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e saj për të kërkuar sakrifica nga qytetarët dhe për të miratuar projektbuxhetin.
Muçi ironizoi socialistët, duke renditur emra të zyrtarëve dhe deputetëve të përfshirë në afera. Ai përmendi ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, Olta Xhaçkën, Sara Milan dhe Elisa Spiropalin.
Deputeti akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se i trajton socialistët si të zëvendësueshëm dhe se, sipas tij, është i gatshëm t’i sakrifikojë politikisht për të mbrojtur pushtetin.
“Ku e gjeni legjitimitetin t’ua prezantoni shqiptarëve këtë buxhet dhe me votat e kujt do ta miratoni? Me votat e atyre që e kanë batërdisur tërë këto vite? Me votën e Ballukut, që është akuzuar se ka vjedhur 1/10 e buxhetit që propozoni ju për vitin 2027? Me votën e Xhaçkës, që akuzohet për korrupsion e pastrim parash? Me votën e Sara Milës, që luan me financat e fukarenjve që të kapardiset në këtë sallë? Apo me votat e të pezulluarës dhe ende jo të përjashtuarës Spiropali, apo me votat e pornostareve në videot e Agasit që u kanë rënë në sy Pandeli Majkos?
Jeni bërë më keq se Partia e Punës, sepse ata, kur përjashtonin dikë, detyroheshin të ngrinin duart. Sulltani nuk ju pyet ju fare.
Kërkoni të miratoni një buxhet, kur prej gjashtë muajsh protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit? Sa herë të shkelësh në stadium, Balla, do të përballesh, sepse u ke kthyer krahun.
Sulltani është gati t’ju bëjë kurban një nga një. Nuk ju merr as leje, ju bën kurban dhe ju heq qafe”, deklaroi Muçi.
