Juan Mata ka vendosur t’i japë fund karrierës si futbollist profesionist. Në moshën 38-vjeçare, mesfushori spanjoll ka njoftuar tërheqjen nga futbolli i luajtur, duke mbyllur një rrugëtim të jashtëzakonshëm, gjatë të cilit fitoi trofe të shumtë në nivel klubesh dhe kombëtaresh.
Mata ka lënë gjurmë në disa prej skuadrave më të njohura të Evropës, duke spikatur me Valencian, Chelsean dhe Manchester United. Megjithatë, kulmin e karrierës e arriti edhe me përfaqësuesen e Spanjës, pjesë e brezit të artë që fitoi Kupën e Botës në vitin 2010 dhe Kampionatin Europian në vitin 2012.
Vitet e fundit të karrierës i kaloi në Australi, ku u aktivizua me Sydney Wanderers dhe Melbourne Victory, klubin ku u bë edhe pjesë e pronësisë. Në njoftimin e tërheqjes, futbollisti spanjoll ndau emocionet për rrugëtimin e tij të gjatë dhe dashurinë e pandryshuar për lojën.
“Kanë kaluar shumë vite falë gëzimit që kam ndier duke luajtur futboll. Zgjohesha çdo mëngjes me dëshirën për t’u stërvitur dhe për të luajtur, qoftë në stadiume madhështore si Old Trafford, Stamford Bridge apo Mestalla, por edhe në fillimet e mia, kur fusha shndërrohej në një det balte gjatë çdo dimri.
Futbolli nuk do të zhduket kurrë nga jeta ime. Ka shumë mënyra për të vazhduar ta duash këtë sport dhe për ta përdorur si një mjet për zhvillimin e njerëzve. Mund të ndaloj së luajturi në nivel profesionist, por nuk do të ndaloj kurrë së qeni futbollist”, përfundoi spanjolli.
