Deputetja e PS-së, Sara Mila i është përgjigjur akuzave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së saj në Kuvend, duke e akuzuar këtë të fundit për standarde të dyfishta dhe duke i kujtuar ngjarjet e rënda të Gërdecit, 21 Janarit dhe vitit 1997. Mila u shpreh se Berisha ka vijuar ta sulmojë dhe të komentojë mandatin e saj parlamentar që prej momentit kur ajo është përfshirë në politikë, madje edhe gjatë daljeve të tij në ambientet e SPAK-ut. Duke iu përgjigjur thirrjes së Berishës për dorëzimin e mandatit, deputetja socialiste deklaroi se një standard të tillë duhej ta kishte vendosur fillimisht vetë kreu i opozitës.
”Ai me të cilin e kisha replikën u largua në fakt, po e kam të sigurt që do ja dërgojë qytetarit dixhital përgjigjen, kështu që gjithsesi po e jap. E ka komentuar mandatin tim që pa ardhur unë në këtë parlament, vazhdon ta përgojojë mandatin tim edhe në ecejaket që bën në oborrin e SPAK-ut, të cilin ai vetë e shan dhe nuk e konsideron. Madje më kishte bërë nga atje edhe një thirrje që ta dorëzoja mandatin. Mirë do ishte në fakt që këtë standardin ta kishte vendosur pik së pari zoti Berisha dhe kush e di sa mirë do ishte Shqipëria nëse zoti Berisha i pari do e kishte vendosur standardin e dorëzimit të mandatit.“Dorëzo mandatin” më thotë mua, ndërkohë që e thërret shpirti i 26 të vrarëve në Gërdec, i katër të vrarëve në bulevard në 21 janar dhe kush e di se sa qindra të vrarëve në ’97 ën. “Dorëzo mandatin” më thotë mua ndërkohë.
Po ashtu Mila sqaroi edhe paraqitjen e saj në SPAK, duke theksuar se ishte thirrur në cilësinë e personit në dijeni. Ajo akuzoi Berishën se po nxit një fushatë sulmesh dhe shpërndarje të informacioneve të pavërteta ndaj saj. “Zotëri, meqënëse i ke qejf ecejaket në organet e drejtësisë, merri informacionet mirë. Merre informacionin saktë se si jam thërritur unë si person në dijeni në dyert e SPAK dhe mos nxit as 101 dalmatët të cilët më ke vërsulur që ditën e parë këtij mandati duke shpërndarë gënjeshtra siç ti di më së miri ta bësh”, tha Mila.
Në përfundim, deputetja u shpreh se për përgjegjësitë dhe veprimet e Berishës do të vendosin drejtësia dhe historia. “Unë nuk i kam ditë në politikë se sa mëkate ke ti, mirëpo për këto do të vendos drejtësia, historia dhe më së shumti Perëndia”, tha ajo.
