Refuzoi dy ofertat e Man Utd, gjiganti italian po ‘fërkon’ duart për Bruno Fernandes

Milani vazhdon të jetë i interesuar për transferimin e Bruno Fernandesit nga Manchester Unitedi, ndërsa situata kontraktuale e mesfushorit portugez në “Old Trafford” mbetet e paqartë.
Sipas gazetarëve Fabrizio Romano dhe Matteo Moretto, klubi italian po e përcjell nga afër situatën e 32-vjeçarit, i cili deri më tani nuk ka pranuar asnjërën nga dy ofertat e Manchester Unitedit për vazhdimin e kontratës.
Marrëveshja aktuale e Fernandesit me klubin anglez skadon në verën e ardhshme, megjithëse Unitedi ka mundësinë ta zgjasë atë edhe për një vit tjetër.
Interesi i Milanit nuk është i rastësishëm, pasi kapiteni i Portugalisë thuhet se është i hapur për një rikthim në futbollin italian, ku më parë ka luajtur për Udinesen dhe Sampdorian.

Gazetari Matteo Moretto ka zbuluar se Milani kishte bërë disa kontakte për të mësuar rreth situatës së mesfushorit gjatë verës, ndërsa nuk ishte klubi i vetëm italian që kishte menduar për transferimin e tij.
“Patjetër që pati disa kërkesa dhe kontakte nga Milani lidhur me situatën e Bruno Fernandesit gjatë kësaj vere. Milani nuk ishte klubi i vetëm në futbollin italian që e kishte shqyrtuar mundësinë e transferimit të tij”, ka deklaruar Moretto.
Ai shtoi se ideja e rikthimit në Itali ishte shumë joshëse për futbollistin portugez dhe se ai e kishte menduar seriozisht një mundësi të tillë.
Përveç Milanit, edhe Juventusi kishte shqyrtuar më parë mundësinë e transferimit të Fernandesit, duke bërë që mesfushori të mbetet në vëmendjen e disa prej klubeve të mëdha italiane.
Ndërkohë, Bruno Fernandes vazhdon të jetë një prej lojtarëve kryesorë të Manchester Unitedit. Këtë sezon, ai ka realizuar gjashtë gola dhe ka dhuruar tri asistime në 14 paraqitje në të gjitha garat./Telegrafi/












































