Sara Mila përplaset me Berishën në Kuvend: Mos shpërndaj gënjeshtra për mua, drejtësia do të vendosë për ty

Uncategorized | 1 orë më parë

Deputetja socialiste Sara Mila i është përgjigjur në Kuvend kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas akuzave dhe thirrjeve të tij për dorëzimin e mandatit, duke e akuzuar për standarde të dyfishta dhe duke i kujtuar ngjarjet e Gërdecit, 21 Janarit dhe vitit 1997.

Mila deklaroi se Berisha ka vijuar të komentojë mandatin e saj parlamentar që prej përfshirjes së saj në politikë, madje edhe gjatë daljeve të tij në ambientet e SPAK-ut. Ajo kundërshtoi thirrjen e tij për dorëzimin e mandatit, duke thënë se të njëjtin standard duhej ta kishte zbatuar fillimisht vetë kreu i opozitës.

“Ai me të cilin e kisha replikën u largua në fakt, po e kam të sigurt që do ia dërgojë qytetarit dixhital përgjigjen, kështu që gjithsesi po e jap. E ka komentuar mandatin tim që pa ardhur unë në këtë parlament, vazhdon ta përgojojë mandatin tim edhe në ecejaket që bën në oborrin e SPAK-ut, të cilin ai vetë e shan dhe nuk e konsideron. Madje më kishte bërë nga atje edhe një thirrje që ta dorëzoja mandatin. Mirë do ishte në fakt që këtë standardin ta kishte vendosur pik së pari zoti Berisha dhe kush e di sa mirë do ishte Shqipëria nëse zoti Berisha i pari do e kishte vendosur standardin e dorëzimit të mandatit.
‘Dorëzo mandatin’ më thotë mua, ndërkohë që e thërret shpirti i 26 të vrarëve në Gërdec, i katër të vrarëve në bulevard në 21 janar dhe kush e di se sa qindra të vrarëve në ’97-ën. ‘Dorëzo mandatin’ më thotë mua ndërkohë”, deklaroi Mila.

Deputetja socialiste sqaroi gjithashtu arsyen e paraqitjes së saj në SPAK, duke theksuar se ishte thirrur në cilësinë e personit në dijeni. Ajo akuzoi Berishën se po nxit sulme ndaj saj dhe po përhap informacione të pavërteta.

“Zotëri, meqenëse i ke qejf ecejaket në organet e drejtësisë, merri informacionet mirë. Merre informacionin saktë se si jam thërritur unë si person në dijeni në dyert e SPAK dhe mos nxit as 101 dalmatët të cilët më ke vërsulur që ditën e parë këtij mandati duke shpërndarë gënjeshtra siç ti di më së miri ta bësh”, tha Mila.

Në përfundim të replikës, deputetja deklaroi se për përgjegjësitë e Berishës do të vendosin institucionet e drejtësisë dhe historia.
“Unë nuk i kam ditë në politikë se sa mëkate ke ti, mirëpo për këto do të vendos drejtësia, historia dhe më së shumti Perëndia”, përfundoi ajo.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme