Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ngriti në Kuvend shqetësimin për investimet në Bashkinë e Lushnjës, duke kritikuar mungesën e fondeve për infrastrukturën dhe shërbimet shëndetësore.
Në fjalën e tij, Korreshi ironizoi mungesën e kryeministrit Edi Rama dhe të ministrave në sallë, duke e krahasuar seancën plenare me një mbledhje të Asamblesë së Partisë Socialiste, ku, sipas tij, nuk mungonte askush.
Deputeti u ndal te fondet e parashikuara për Bashkinë e Lushnjës, duke pretenduar se për rritjen e pagave janë planifikuar 10 herë më shumë para sesa për rrugët. Ai tha se janë parashikuar 120 milionë lekë për rritjen e pagave dhe 9 milionë lekë për infrastrukturën rrugore, ndërsa akuzoi mazhorancën se po shpërblen patronazhistët.
“Si ka mundësi që në Lushnjë çohen 10-fish më shumë para për rroga sesa për rrugë? 120 milionë për rritjen e pagave të patronazhistëve, 9 milionë për rrugë. O njerëz, Lushnja prapë me opinga!”, u shpreh Korreshi.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për gjendjen e infrastrukturës dhe problemet me energjinë elektrike, si dhe për kushtet në Spitalin e Lushnjës. Sipas tij, spitali ka nevojë jo vetëm për investime në godinë, por edhe për pajisje dhe materiale të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
“Çfarë keni me Lushnjën dhe Divjakën ju?”, përfundoi deputeti.