U deshën shtatë faza, muaj të tërë planifikimi dhe një arsenal prej 11 sistemesh të ndryshme armatimi për të rrëzuar urën e Kerçit, krenarinë e Vladimir Putinit, në fund të detit. Fillimisht u ndërmor një përpjekje e vazhdueshme, që zgjati disa javë, për të hetuar, verbuar dhe çarmatosur mbrojtjen rreth urës; bateritë e mbrojtjes ajrore, instalimet e radarëve dhe sistemet e luftës elektronike u neutralizuan gradualisht nga dronët ukrainas. Pasi u eleminuan shtresat e mbrojtjes, Ukraina nisi një sulm të fuqishëm ndaj urës: valë dronësh dhe raketash, të projektuara për të mbingarkuar pozicionet e mbetura të mbrojtjes ajrore dhe për t'i detyruar ato të shpenzonin municionet e tyre. Kjo krijoi një korridor që dronët turbo-reaktivë "Palianytsia" të godisnin pjesën rrugore të urës, ndërsa raketat lundruese "Neptune" dhe "Ruta", si dhe sistemet "FP-5", vunë në shënjestër hekurudhën që kalon paralelisht. Në një finale madhështore, raketat lundruese "Flamingo" kryen një goditje me saktësi të lartë, duke përdorur një lidhje komunikimi të improvizuar, të mundësuar nga mjete të tjera ajrore pa pilot. Shpërthimi e shkatërroi urën, duke bërë që një nga harqet e saj kryesore dhe pjesa rrugore poshtë tij, me një gjatësi prej rreth 200 metrash, të binin në ngushticën e Kerçit. Ura, me vlerë mbi 3 miliardë dollarë, u ndërtua pas aneksimit të paligjshëm të gadishullit nga Rusia në vitin 2014, për të forcuar kontrollin e saj mbi Krimenë dhe për të krijuar një lidhje me territorin kryesor rus. Gjatë gjithë luftës, kjo urë është përdorur për transportimin e trupave, karburantit, municioneve dhe pajisjeve për forcat ruse në jugun e pushtuar të Ukrainës. Ajo ka qenë gjithashtu shpeshherë në shënjestër të Ukrainës. Ura u godit në një sulm të guximshëm me kamion-bombë në tetor 2022, i mbijetoi një sulmi me dronë detarë në korrik 2023, si dhe një akti sabotimi me eksplozivë nënujorë në qershor 2025. Megjithatë, asnjëri prej këtyre sulmeve nuk ishte aq i jashtëzakonshëm sa ai i së martës.