David Beckham ka ngritur padi kundër grupit të kozmetikës “Coty”, duke kërkuar të paktën 41 milionë dollarë (rreth 37 milionë euro) dëmshpërblim. Në qendër të konfliktit janë parfumet me emrin e ish-futbollistit anglez, të cilat, sipas akuzës, janë shitur në dyqane me çmime të ulëta dhe madje në sektorin e ofertave të një pike karburanti.
Kompania e Beckham, “DB Ventures”, e ka çuar çështjen në Gjykatën e Lartë të shtetit të Nju-Jorkut, duke pretenduar se “Coty” ka shkelur marrëveshjen e licencimit dhe ka dëmtuar imazhin luksoz të markës.
“Imagjinoni tronditjen dhe habinë kur ‘DB Ventures’ zbuloi se produktet David Beckham shiteshin në një pikë karburanti”, – thuhet në dokumentin e padisë, ku kjo situatë i atribuohet “dëshpërimit dhe lakmisë”. Sipas kompanisë, parfumet janë shitur edhe në rrjetin britanik “Poundland”, me çmime të ulëta.
“Coty” kërkon rrëzimin e padisë, të depozituar në prill. Grupi pretendon se gjykatat e Nju-Jorkut nuk kanë juridiksion për këtë çështje dhe akuzon “DB Ventures” se po përpiqet të largohet para kohe nga marrëveshja, për t’ia kaluar kontratat një kompanie tjetër, “Interparfums”. Ndërkohë, pasuria e përbashkët e familjes “Beckham” vlerësohet në afro 1.2 miliardë paund.







