Wednesday / November 18 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Blerjet online, çfarë ndryshon për platformat dhe konsumatorët me projektligjin e ri

Share Share Icon

Platformat e tregtimit online do të kenë deri në dy ditë pune për të zbatuar urdhrat e autoriteteve për heqjen ose çaktivizimin e ofertave për produkte të rrezikshme, sipas projektligjit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për sigurinë e produkteve joushqimore. Drafti parashikon gjoba nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë për personat juridikë dhe nga 100 mijë deri në 600 mijë lekë për personat fizikë, kur shkelin detyrimet e përcaktuara në nenin 45.

Afati nis nga marrja e urdhrit, ndërsa njoftimet për oferta të dyshuara si të rrezikshme duhet të shqyrtohen brenda tri ditëve pune. Platformat duhet të caktojnë pika kontakti dhe të krijojnë procedura të brendshme për sigurinë e produkteve. Vetë ofertat duhet të përmbajnë të dhëna për prodhuesin ose personin përgjegjës, informacion që identifikon produktin dhe paralajmërimet për sigurinë.

Rregullat për shitjen në distancë do të zbatohen kur “oferta i drejtohet konsumatorëve në territorin e Republikës së Shqipërisë”, përcakton neni 5. Ndër kriteret janë mundësia e dërgesës në Shqipëri, komunikimi në shqip, pranimi i pagesave në lekë ose përdorimi i strategjive të marketingut që synojnë tregun shqiptar. Sipas relacionit, ligji në fuqi nuk përcakton detyrime të posaçme për platformat, ndërsa autoritetet hasin vështirësi në trajtimin e ofertave online për produkte të rrezikshme.

Prodhuesit duhet të kryejnë analizën e rrezikut dhe të përgatisin dokumentacionin teknik, ndërsa importuesit duhet të verifikojnë përmbushjen e detyrimeve nga prodhuesi përpara se ta vendosin produktin në treg. Shpërndarësit duhet të sigurohen që transporti ose magazinimi të mos cenojnë sigurinë. Kur natyra e produktit e kërkon, vlerësimi do të përfshijë edhe sigurinë kibernetike dhe funksionet vetënxënëse.

Kur një produkt duhet të kthehet për arsye sigurie, konsumatorët që mund të identifikohen do të njoftohen drejtpërdrejt. Operatori përgjegjës duhet të ofrojë një zgjidhje “efektiv[e], pa pagesë dhe brenda një afati të arsyeshëm”. Si rregull, konsumatori duhet të ketë të paktën dy mundësi mes riparimit, zëvendësimit dhe rimbursimit. Nëse riparimi ose zëvendësimi nuk kryhet brenda një afati të arsyeshëm dhe pa vështirësi të konsiderueshme për konsumatorin, ai ka të drejtë të marrë mbrapsht shumën e paguar.

Drafti parashikon gjithashtu një sistem kombëtar për shkëmbimin e shpejtë të informacionit për produktet e rrezikshme. Sistemi, që do të administrohet nga ministria nëpërmjet Zyrës së Vetme Ndërlidhëse, do të mbledhë njoftimet, rezultatet e testimeve, të dhënat për aksidentet dhe masat korrigjuese.

Projektligji do të zëvendësonte ligjin e vitit 2011 dhe synon përafrimin me rregulloren europiane për sigurinë e përgjithshme të produkteve. Sipas relacionit, përpara anëtarësimit në Bashkimin Europian do të zbatohen rregullat kombëtare; pas anëtarësimit, rregullorja europiane do të zbatohet drejtpërdrejt dhe në fuqi do të mbeten vetëm dispozitat kombëtare të nevojshme për zbatimin e saj.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Metoda e Eurostat për inflacionin, rritje më të lartë të çmimeve të ushqimeve në tetor 4,4%

Inflacioni në Shqipëri arriti në 3,5% në tetor 2026 sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), që ndjek metodologjinë e Eurostat-...

1 hour më parë 3 Min Lexim

Buxheti 2027, kryeministri: Dyfishojmë rritjen e pensioneve, taksë më e lartë për apartamentet bosh

Në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë, diskutimi në parim i projektbuxhetit dhe paketës fiskale është shoqëruar me debate mes mazhorancës dh...

1 hour më parë 5 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!