Pas 25 vitesh në arrati, Valentin Ftoni, 52 vjeç, është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë.
I dënuar dy herë me nga 25 vite burgim për tri vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës, ai ishte fshehur në SHBA, ku kishte përdorur tre identitete të falsifikuara.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Ftoni u arrestua në New York më 8 tetor 2026, pas një pune të gjatë hetimore dhe shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre amerikane. Operacioni u koordinua nga DSS/OCIU në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
52-vjeçari ishte i njohur në SHBA me tre identitete të ndryshme: Valentin Bujaj, Parim Hajredini, me identitet kosovar, dhe Alexander Campusano, me identitet të Amerikës Qendrore.
Pas përfundimit të procedurave përkatëse, ai u mor në dorëzim nga autoritetet federale amerikane ICE-ERO dhe DSS/OCIU dhe iu dorëzua autoriteteve shqiptare për vijimin e procedurave ligjore.
I dënuar për tri vrasje në Shkodër
Valentin Ftoni ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001, pasi ishte dënuar në dy procese të veçanta gjyqësore me nga 25 vite burgim.
Vendimi i parë është dhënë më 28 janar 2001 nga Gjykata e Shkodrës. Ftoni u shpall fajtor për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas vendimit gjyqësor, më 19 shtator 2000, në fshatin Cas të Shkodrës, ai ka vrarë shtetasit Gj. M. dhe A. M., për motive gjakmarrjeje.
Ndërsa më 18 nëntor 2008, Gjykata e Shkodrës e ka dënuar sërish me 25 vite burgim për vrasjen e shtetasit G. T., ngjarje e ndodhur më 12 gusht 2001, në Shkodër.
Pas arratisjes nga Shqipëria, Ftoni kishte arritur t’u shmangej autoriteteve përmes përdorimit të identiteteve të falsifikuara, deri në arrestimin e tij në New York.
Ekstradimi i tij shënon përmbylljen e një operacioni të gjatë ndërkombëtar, në kuadër të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.














