Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, kritikoi ashpër mazhorancën gjatë diskutimeve për Buxhetin 2027 në Kuvend, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e saj për të kërkuar sakrifica nga qytetarët dhe për të miratuar projektbuxhetin.
Në fjalën e tij, Muçi ironizoi socialistët, duke përmendur disa zyrtarë dhe deputetë, për të cilët ngriti akuza lidhur me përfshirjen në çështje të ndryshme. Ai përmendi ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, Olta Xhaçkën, Sara Milën dhe Elisa Spiropalin.
Deputeti akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se i trajton socialistët si të zëvendësueshëm dhe se është i gatshëm t’i sakrifikojë politikisht për të mbrojtur pushtetin.
“Ku e gjeni legjitimitetin t’ua prezantoni shqiptarëve këtë buxhet dhe me votat e kujt do ta miratoni? Me votat e atyre që e kanë batërdisur tërë këto vite? Me votën e Ballukut, që është akuzuar se ka vjedhur 1/10 e buxhetit që propozoni ju për vitin 2027? Me votën e Xhaçkës, që akuzohet për korrupsion e pastrim parash? Me votën e Sara Milës, që luan me financat e fukarenjve që të kapardiset në këtë sallë? Apo me votat e të pezulluarës dhe ende jo të përjashtuarës Spiropali?”, deklaroi Muçi.
Ai e krahasoi mënyrën e funksionimit të mazhorancës me atë të ish-Partisë së Punës, duke pretenduar se deputetët socialistë nuk kanë ndikim në vendimmarrje.
“Sulltani është gati t’ju bëjë kurban një nga një. Nuk ju merr as leje, ju bën kurban dhe ju heq qafe”, përfundoi deputeti.