Valentin Ftoni, 52-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitit 2001 për tri vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës, është ekstraduar këtë të mërkurë, më 18 nëntor 2026, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë.
Ftoni u arrestua më 8 tetor 2026 në Nju Jork, pas një hetimi të gjatë të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese amerikane. Operacioni, i koduar “GLOBE”, u finalizua me ekstradimin e tij, ndërsa 52-vjeçari iu dorëzua autoriteteve shqiptare për vijimin e procedurave ligjore dhe ekzekutimin e vendimeve të dënimit.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë qëndrimit në SHBA, Ftoni kishte arritur t'i shmangej drejtësisë duke përdorur tre identitete të falsifikuara: Valentin Bujaj, Parim Hajredini, me dokumente kosovare, si dhe Alexander Campusano, me identitet të Amerikës Qendrore.
Ai është dënuar dy herë nga Gjykata e Shkodrës, me nga 25 vite burg për secilin vendim, për tri vrasje të kryera gjatë viteve 2000-2001.
Vendimi i parë është dhënë më 28 janar 2001, kur Ftoni u shpall fajtor për vrasjen e dy shtetasve, Gj. M. dhe A. M., ngjarje e ndodhur më 19 shtator 2000 në fshatin Ças të Shkodrës. Sipas vendimit gjyqësor, krimi ishte kryer për motive gjakmarrjeje.
Ndërsa më 18 nëntor 2008, Gjykata e Shkodrës e dënoi sërish me 25 vite burg, këtë herë për vrasjen e shtetasit G. T., të kryer më 12 gusht 2001 në Shkodër.
Në të dyja vendimet, ai u shpall fajtor për veprën penale të vrasjes me paramendim, të kryer në bashkëpunim, si dhe për veprat që lidhen me mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve.
Policia e Shtetit bëri të ditur se operacioni u realizua në bashkëpunim me autoritetet federale amerikane ICE-ERO dhe DSS/OCIU, me koordinimin e strukturave përkatëse të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit vlerësoi bashkëpunimin me partnerët amerikanë, duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar në hetimin dhe goditjen e personave që i shmangen drejtësisë duke u larguar jashtë vendit.