Rreth 13.4 miliardë euro, apo 87% e shpenzimeve buxhetore të Kosovës gjatë periudhës 2021–2025, kanë kontribuar në realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ).

Megjithatë, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve është përqendruar në vetëm pesë fusha: uljen e varfërisë, forcimin e institucioneve, arsimin, infrastrukturën dhe shëndetësinë.


Këto janë ndër gjetjet kryesore të raportit “Ndërlidhja e buxhetit të Kosovës me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (2021–2025)”, të prezantuar nga Instituti GAP në një tryezë diskutimi, me mbështetjen e Zyrës së Koordinatorit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit GAP, Blendi Hasaj, tha se raporti paraqet analizën e parë gjithëpërfshirëse të përputhshmërisë së shpenzimeve publike të Kosovës me 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Koordinatorja e Hulumtimeve në Institutin GAP, Rrona Zhuri, theksoi se, pavarësisht kontributit të lartë të buxhetit në këto objektiva, shpërndarja e mjeteve mbetet e pabalancuar.

Ajo rekomandoi integrimin më të mirë të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm në planifikimin buxhetor, rritjen e financimit për fushat e nënfinancuara dhe përmirësimin e targetimit të transfereve sociale.

Ndërkaq, Koordinatori i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Stephen O’Malley, theksoi se buxheti është pasqyrimi më i qartë i prioriteteve të një qeverie.

Ai rikujtoi se Kosova kishte shprehur përkushtimin institucional ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm përmes një rezolute të Kuvendit në vitin 2018.

Sipas tij, raporti mundëson vlerësimin nëse investimet publike po kontribuojnë në përmbushjen e zotimeve për zhvillim të qëndrueshëm.

Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Driton Hyseni, kërkoi që në analiza të tilla të përfshihen edhe donacionet dhe fondet ndërkombëtare.

Ai përmendi financimin prej 25 milionë eurosh nga Banka Botërore për sektorin e ujërave dhe 25 milionë euro të tjera nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës për përmirësimin e kushteve të banimit social.

Në anën tjetër, zyrtarja e lartë në Zyrën për Planifikim Strategjik në Qeverinë e Kosovës, Armenda Shala, bëri të ditur se Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030 përmban 143 indikatorë për matjen e progresit, prej të cilëve rreth 80% janë në përputhje me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi-Tuzi, theksoi nevojën që barazia gjinore të integrohet në të gjitha fushat e buxhetit, në mënyrë që të adresohen pabarazitë strukturore.

Ajo përmendi kujdesin e papaguar, mungesën e qasjes në transport dhe shërbimet e kujdesit si disa nga pengesat që kufizojnë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.

Sipas saj, buxhetimi i përgjegjshëm gjinor është i rëndësishëm për shpërndarjen e barabartë të fondeve publike dhe monitorimin e shpenzimeve.

Në diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore, organizatave ndërkombëtare dhe vendore. /KP/