Ministria e Shëndetësisë konfirmon rastin me malarie në Shqipëri, ndërsa shpjegon se pacienti u trajtua në spital dhe tashmë paraqitet në gjendje të përmirësuar shëndetësore.
Sipas njoftimit, rasti i fundit është trajtuar në kohë dhe në përputhje me protokollet përkatëse mjekësore në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive pranë QSUT-së. Pas marrjes së trajtimit dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, pacienti ka dalë nga spitali.
Sipas të dhënave të Sistemit Elektronik të Sëmundjeve Infektive (SISI), gjatë periudhës 2022–2026 në Shqipëri janë raportuar gjithsej 12 raste me malarie. Një rast është regjistruar në vitin 2022, pesë në vitin 2023, tre në vitin 2024, dy në vitin 2025 dhe një gjatë vitit 2026.
Të gjitha rastet janë klasifikuar si të importuara, pasi ekspozimi ndaj infeksionit ka ndodhur jashtë territorit të Shqipërisë. ISHP thekson se gjatë pesë viteve të fundit nuk është evidentuar asnjë rast i transmetimit autokton të malaries në vend.
Ndërkohë, një ekip multidisiplinar i Institutit të Shëndetit Publik, me specialistë të epidemiologjisë, entomologjisë dhe shëndetit në punë, po kryen vlerësime epidemiologjike dhe entomologjike në terren.
Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se vijon monitorimin e situatës përmes sistemit të survejancës epidemiologjike dhe bashkëpunimit me strukturat shëndetësore, duke theksuar se deri tani nuk ka evidencë të transmetimit të malaries brenda vendit.a.b



