“Buxheti i vjedhjes”, Berisha akuza në Kuvend: Me paketën fiskale do të rrisni taksat dhe çmimet për shqiptarët

18/11/2026 14:36

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër qeverinë gjatë diskutimeve në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, të cilin e cilësoi si “buxhetin e vjedhjes”. Sipas tij, paketa e re fiskale do të rëndojë më tej qytetarët, duke sjellë rritje të taksave dhe çmimeve.

Nga foltorja e Kuvendit, Berisha kundërshtoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama për një buxhet historik prej 10 miliardë eurosh, duke akuzuar mazhorancën për korrupsion dhe mungesë legjitimiteti.

“Çfarë buxheti do miratoni ju? Dhe mburreni, 10 miliardë vjedhje. 10 miliardë vjedhje me paketën fiskale të ndëshkimit të shqiptarëve”, deklaroi Berisha.

Kreu demokrat iu referua edhe të dhënave të Eurostat-it, duke pretenduar se, pavarësisht rritjes së të ardhurave për frymë, qytetarët shqiptarë po përballen me varfëri më të madhe për shkak të çmimeve të larta.

“A e dini ju se EUROSTAT deklaroi dje se për shqiptarët, të ardhurat janë rritur, varfëria është shtuar? Sepse janë pjesëtuar prodhimi i përgjithshëm për frymë me gjithsej 2 milionë e 200 mijë shqiptarë. Por po t’i krahasosh me çmimet, shqiptarët janë më të varfrit në Evropë”, u shpreh ai.

Sipas Berishës, çmimet në Shqipëri arrijnë në 110% të mesatares evropiane, ndërsa akuzoi qeverinë se me ndryshimet e propozuara fiskale do ta rëndojë edhe më shumë koston e jetesës.

“Çfarë do u bëni ju më keq shqiptarëve se tani t’ua rrisni dhe taksat? Se tani t’ua rrisni edhe më tej çmimet. Çmimet janë 110 përqind të mesatares evropiane. Tani me këtë paketë do t’i përzini prapë”, tha Berisha.

Ai vuri gjithashtu në dyshim legjitimitetin e shumicës parlamentare, duke pretenduar se ajo ka dalë nga zgjedhje të manipuluara dhe se ka mbrojtur korrupsionin.

“Ju nuk keni asnjë të drejtë morale të merreni me buxhetin. Ju nuk keni legjitimitet. Ju keni humbur çdo legjitimitet. Ju keni dalë nga zgjedhje të plaçkitura dhe keni mbrojtur korrupsionin”, u shpreh kreu i opozitës.

Në përfundim, Berisha përsëriti akuzat ndaj qeverisë për përkeqësimin e kushteve ekonomike të shqiptarëve, duke kundërshtuar miratimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027.

 

Top Channel