Grupi i aktivistëve të angazhuar në protestat flamingo, lajmëruan një tubim para Kuvendit, në seancën e miratimit në parim të buxhetit dhe paketës fiskale.

Por në orarin e lajmëruar herët në mëngjes, para Parlamentit pati një grup mjaft të vogël qytetarësh.

Të njëjtët organizatorë njoftuan edhe protestë po sot, te Ministria e Arsimit, në orën 14:00, por edhe këtu ndodhen një numër i pakët protestuesish.

Ndërkohë, për tubimin të martën, para kryeministrisë, policia njoftoi se nisi hetimet për 24 protestues të cilët sipas policisë u përplasën me forcat blu duke refuzuar të lirojnë bulevardin Dëshmorët e Kombit për të qëndruar në trotuar

Ky grup i vogël protestuesish në disa raste i doli përpara furgonit të policisë teksa bënte shoqërime, dhe goditi disa efektivë. Sipas policisë, gjatë tubimit të djeshëm janë dëmtuar dy punonjës të forcave blu. Përfaqësues të protestës, por edhe opozita nga ana tjetër, pretendoi për dhunë policore.

Për bllokimin e rrugës, në zbatim të aktit normative për tubimet, policia thotë se vendosi edhe 28 gjoba gjatë 48 orëve të fundit, me nga 5 mijë lekë secila.