“Buxheti 10 mld euro rrit ekonominë”, Malaj: Pjesa më e madhe e fondeve shkojnë për mbrojtjen sociale
Më shumë mirëqenie sociale, stabilitet fiskal dhe investime publike. Këto janë tri shtyllat kryesore mbi të cilat është ndërtuar buxheti i vitit 2027 dhe paketa e re fiskale. Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se pjesa më e madhe e buxhetit prej 10 miliardë eurosh do të shkojë për shtyllën e parë, atë të mbrojtjes sociale.
“Mbrojtja sociale zë vendin kryesor në buxhet, duke arritur në 279 miliardë lekë, ose rreth 30% të totalit. Pra, afërsisht 1 në çdo 3 lekë do të shkojë për mbështetjen e qytetarëve. Në fokus janë pensionistët, për të cilët parashikohet indeksimi i pensioneve në prill të vitit 2027, me një kosto prej 4 miliardë lekësh për buxhetin. Gjithashtu, parashikohet dyfishimi i bonusit mujor, ku kostoja do të arrijë në 20 miliardë lekë.”, tha Malaj.
Një trajtim të veçantë, sipas ministrit, kanë marrë edhe arsimi dhe mbrojtja, kjo e fundit e lidhur ngushtësisht me angazhimet e Shqipërisë në NATO.
“Buxheti parashikon rritje të financimit edhe për sektorët prioritarë, siç është arsimi, që përfaqëson të ardhmen e vendit. Ndër politikat kryesore është ofrimi i transportit falas për 33 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues, si dhe sigurimi i teksteve shkollore falas. Gjithashtu, parashikohen bursa për 4 mijë nxënës dhe zgjerimi i programit ‘After School’. Për sektorin e mbrojtjes janë parashikuar 76 miliardë lekë, me një rritje prej 7 miliardë lekësh krahasuar me një vit më parë, ku pjesa më e madhe e rritjes do të shkojë për Forcat e Armatosura.”
Lehtësimi i barrës fiskale për qytetarët me të ardhura të ulëta dhe rritja e taksimit për ata që fitojnë më shumë. Kjo është filozofia mbi të cilën mbështetet paketa e re fiskale, sipas kreut të Financave.
“Ndër ndryshimet kryesore është rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Gjithashtu, parashikohet aplikimi i normës së reduktuar të TVSH-së për produktet e shportës, nga 20% në 6%. Një tjetër ndryshim është zhvendosja e taksës së qarkullimit nga karburanti te automjetet. Efektet e këtyre ndryshimeve synohen të jenë neutrale, pasi parimi mbi të cilin mbështetet paketa fiskale është mbrojtja e shtresave në nevojë.”
Ministria e Financave parashikon që ekonomia pritet të rritet me 4% gjatë vitit 2027, ndërsa buxheti dhe paketa e re fiskale synojnë të mbështesin këtë rritje, duke ruajtur stabilitetin financiar të vendit.
/vizionplus.tv




