Brajan Gruda po tërheq vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha të Gjermanisë. Paraqitjet e mira me fanellën e Leipzig dhe Gjermanisë, ku është i huazuar nga Brighton, kanë bërë që Bayern Munich dhe Bayer Leverkusen të monitorojnë nga afër situatën e futbollistit 22-vjeçar.
Sipas raportimeve të TEAMtalk, dy gjigantët e Bundesligës janë impresionuar nga paraqitjet e Grudës, i cili këtë sezon ka regjistruar dy gola dhe pesë asistime në të gjitha kompeticionet. Talenti ofensiv po rigjen formën në futbollin gjerman, pas një periudhe të vështirë në Angli.
Gruda iu bashkua Brightonit në verën e vitit 2024, kur u transferua nga Mainz për rreth 25 milionë paund. Megjithatë, ai nuk arriti të siguronte një vend të rregullt në formacionin titullar, çka solli huazimin te Leipzig.
Aftësia për të luajtur si mesfushor ofensiv apo edhe në rolin e sulmuesit fals, si dhe intensiteti në presionin ndaj kundërshtarit, janë disa nga cilësitë që kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të interesuara.
Leipzig ka në marrëveshje një detyrim të kushtëzuar për ta blerë kartonin e tij për rreth 25 milionë paund, nëse plotësohet një numër i caktuar paraqitjesh. Megjithatë, aktivizimi i këtij kushti nuk është i garantuar. Nëse Leipzig nuk e përfundon transferimin, Bayern dhe Leverkusen mund të ndërhyjnë për ta transferuar futbollistin.
