Çështja Endrick, braziliani i premton besnikëri Realit, por media spanjolle: Roma, destinacioni më i mundshëm

18/11/2026 14:45

Në Spanjë, çështja ka marrë tashmë përmasa të mëdha dhe e ardhmja e Endrick vazhdon të jetë objekt debatesh dhe pikëpyetjesh. Nga njëra anë qëndron qëndrimi i prerë i Real Madridit dhe Jose Mourinhos, sipas të cilëve sulmuesi i ri brazilian nuk është në listën e lojtarëve që mund të largohen. Special One nuk dëshiron të humbasë asnjë futbollist gjatë sezonit

Për më tepër, ai e konsideron Endrick një element të rëndësishëm në rotacionin e repartit ofensiv të madrilenëve, si në rolin e qendërsulmuesit, ku mund të shërbejë si alternativë për Mbappen, ashtu edhe në krahët e sulmit. Megjithatë, deri më tani, minutat që i janë dhënë kanë qenë shumë të pakta: vetëm 141 minuta në shtatë paraqitje në La Liga dhe Champions League. Një hapësirë shumë e kufizuar për një futbollist të ri që kërkon të zhvillohet dhe të luajë rregullisht. Pauza për ndeshjet e kombëtareve i dha një shtysë të re jo vetëm Viniciusit, autor i një dopiete kundër Japonisë dhe një tregolëshi ndaj Singaporit, por edhe ish-futbollistit të Palmeirasit, i cili pas miqësores së fundit të Brazilit foli për një transferim të mundshëm në janar.

‘Po luaj pak te Real Madridi? Vendimi i takon Mourinhos. Jam gjithmonë në dispozicion për të ndihmuar Real Madridin, klubin më të madh në botë. Shpresoj ta kaloj gjithë jetën time aty, duke ndihmuar Realin dhe shokët e skuadrës’– u shpreh ai.

Deklarata këto më shumë diplomatike, që vijnë pas disa qëndrimeve shumë më të drejtpërdrejta dhe të qarta: “Nuk e di se çfarë do të ndodhë në janar. Gjithçka është në duart e Zotit. I kërkoj të më udhëheqë drejt asaj që është më e mira për mua dhe karrierën time. Çfarëdo që të ndodhë, do të ndodhë. Unë do të vazhdoj t’i mbaj këmbët në tokë, në mënyrë që Endrick futbollisti të ketë sukses (…). Dua vetëm të luaj, të jem i lumtur. Jam shumë i ri, vetëm 20 vjeç. Nuk është se kam nevojë të hidhem në të panjohurën, por dua thjesht të jem i lumtur, të luaj, të shënoj gola, të jap asistime dhe të ndihmoj shokët e skuadrës. Ajo që më ndodhi në Lion, për shembull, ishte një nga përvojat më të bukura të jetës sime, periudha kur jam ndier më i lumtur, pa asnjë dyshim”.

Në Francë, Endrick arriti të linte gjurmë brenda një kohe të shkurtër. I huazuar në janar, braziliani u rikthye në Madrid në qershor, pasi kishte regjistruar 5 gola dhe 7 asistime në 16 ndeshje.

Interpretimi i fjalëve (dhe dëshirave) të Endrick mund të çojë drejt një tjetër huazimi. Braziliani nuk dëshiron të largohet përfundimisht nga Madridi, por në të njëjtën kohë ka nevojë të luajë për t’u rritur si futbollist dhe për të afirmuar veten. Për këtë arsye, mediat spanjolle vazhdojnë të këmbëngulin te pista Roma: verdhekuqtë kërkojnë një lojtar krahu për t’ia vënë në dispozicion Gasperinit në merkaton e janarit, ndërsa huazimi i Endrick mund të ishte një zgjidhje që nuk do të rëndonte shumë financat e klubit. Edhe Milani po e ndjek me vëmendje këtë situatë, por për momentin objektivi kryesor i kuqezinjve duket se është Nicolò Tresoldi. Alternativa e tretë në tryezë është Sporting Lisbona, skuadra e Paulo Fonsecas, i cili e ka pasur Endrick nën drejtimin e tij gjatë atyre gjashtë muajve të shkëlqyer në Lion. Pavarësisht deklaratave diplomatike, gara për të ardhmen e brazilianit mbetet më e hapur se kurrë: Endrick dëshiron të luajë.

 

Top Channel