Xi dhe Putin sfidojnë Perëndimin para takimit me Trump, Europa dhe Azia i frikësohen një “Jalte të re” Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, synon të bëhet Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në një garë të fortë për të pasuar në këtë detyrë Antonio Guterres.
Diplomati argjentinas renditet i dyti në sondazhin e fundit paraprak të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas kandidates nga Kosta Rika, Rebeca Grynspan. Grossi ka siguruar nëntë vota inkurajuese dhe katër kundërshtuese, ndërsa në garë janë edhe tetë kandidatë të tjerë.
Pavarësisht përvojës së tij në diplomacinë ndërkombëtare dhe drejtimit të IAEA-së, kandidatura e Grossit përballet me disa pengesa të rëndësishme. Një prej tyre lidhet me perceptimin për afërsinë e tij me presidentin amerikan Donald Trump dhe homologun argjentinas, Javier Milei.
Që prej marrjes së drejtimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në vitin 2019, Grossi është shndërruar në një prej figurave më aktive të diplomacisë ndërkombëtare në menaxhimin e krizave. Ai ka drejtuar personalisht misione inspektimi në centralet bërthamore të Zaporizhzhias dhe Çernobilit në Ukrainë, pas pushtimit rus në vitin 2022.
Përmes një qasjeje të përqendruar te siguria teknike e centraleve dhe negociatat me palët në konflikt, ai ka kontribuar në arritjen e disa armëpushimeve lokale, të cilat kanë mundësuar riparimin e infrastrukturës kritike. Ekspertët vlerësojnë se Grossi ka forcuar ndjeshëm profilin ndërkombëtar të agjencisë, duke e kthyer atë nga një institucion kryesisht teknik në një aktor me peshë në diplomacinë ndërkombëtare. Megjithatë, angazhimi i tij në konfliktin ukrainas ka shkaktuar pakënaqësi në Moskë, e cila e konsideron ndërhyrjen e tij përtej kompetencave të drejtuesit të agjencisë.
Për t’u zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, një kandidat duhet të marrë të paktën nëntë vota nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe të mos përballet me veton e asnjërit prej pesë anëtarëve të përhershëm: SHBA-së, Rusisë, Kinës, Francës dhe Britanisë së Madhe. Pikërisht ky mekanizëm përbën një nga sfidat kryesore për kandidaturën e Grossit.
Sipas raportimeve të mediave, Kina ka shprehur rezerva për kandidaturën e tij, për shkak të marrëdhënieve të afërta me Uashingtonin, dhe pritet të mbështesë Rebeca Grynspan.
Edhe Irani ka kritikuar drejtuesin e IAEA-së, duke e akuzuar agjencinë për raportime të njëanshme dhe të ndikuara nga SHBA-ja dhe vendet europiane për programin bërthamor iranian. Teherani e konsideron Grossin një figurë jo të paanshme, veçanërisht pas vlerësimeve të agjencisë mbi rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit. Megjithatë, analistët vlerësojnë se kundërshtimet e Teheranit nuk pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në votimin e Këshillit të Sigurimit.
Një tjetër vështirësi për diplomatin argjentinas lidhet me marrëdhëniet e tij politike me presidentin Javier Milei dhe mbështetjen e mundshme nga Donald Trump. Të dy liderët kanë shprehur qëndrime kritike ndaj OKB-së dhe institucioneve ndërkombëtare, ndërsa administrata amerikane ka tërhequr financime dhe mbështetje nga disa prej strukturave të organizatës. Nga njëra anë, Milei ka vënë në pikëpyetje rolin e institucioneve ndërkombëtare dhe, nga ana tjetër, ka rihapur përplasjen me Britaninë e Madhe për ishujt Falkland.
Sipas analistëve, Grossi shihet si një kandidat që mund të mbështesë një reformim të OKB-së në përputhje me vizionin e Trump dhe Mileit, duke synuar reduktimin e strukturave burokratike dhe bashkimin e disa agjencive. Megjithatë, kjo qasje ka ngritur shqetësime se organizata mund të largohet nga misioni i saj për zhvillimin, barazinë dhe mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare.
Ndërkohë, një fushatë ndërkombëtare e shoqërisë civile po kërkon që për herë të parë në historinë 81-vjeçare të OKB-së, në krye të organizatës të zgjidhet një grua.
Mandati i Antonio Guterres përfundon më 31 dhjetor, çka e bën garën për pasuesin e tij gjithnjë e më të rëndësishme.
Top Channel