Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar zhvillimet politike në vend dhe raportin mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Sipas Toskës, të dy liderët, përmes protagonizmit të tyre politik, po i japin vlerë njëri-tjetrit, ndërkohë që qytetarët kërkojnë largimin e të dyve. Ai e cilësoi marrëdhënien mes tyre si një binom që, sipas tij, po mban të dyja palët në skenën politike.

Gazetari kritikoi gjithashtu qëndrimin e zgjatur të Berishës në krye të PD-së, ndërsa u shpreh se pozita politike e Ramës është më e vështirë se kurrë dhe se ky i fundit përfiton politikisht nga përplasjet me opozitën.

Toska deklaroi se Shqipërisë i mungon një garë e vërtetë mes figurave të reja politike, duke e përshkruar situatën aktuale si një përballje mes dy liderëve në moshë pensioni. Ai shprehu gjithashtu bindjen se PD-ja, me Berishën në krye, nuk mund të vijë në pushtet.

Pjesë nga deklarata e gazetarit Almer Toska:

“Berisha dhe Rama, me protagonizmin e tyre, kërkojnë t’i japin vlerë njëri-tjetrit, ndërkohë që njerëzit kërkojnë largimin e të dyve. Është një binom që po mbajnë njëri-tjetrin me kthetra në pushtet. Qëndrimi i tejzgjatur dhe i panevojshëm i Berishës në krye të PD-së është gabim politik i tij. Më vjen keq për të që ka edhe një problem me kujtesën, ngatërron emra, është për të ardhur keq.

Pozicioni i Ramës është më i rënduar se kurrë. I duhet Berisha që del e telendiset aty përpara, që të marrë mbështetjen, duke thënë: ‘A durohet më ky plaku 80-vjeçar, shkojmë më mirë me këtë plakun 62-vjeçar’. Shqiptarët kanë dy pensionistë alternativë. Nuk ka garë e luftë mes të rinjve. Kuptohet çfarë po bëjnë ata, po i japin kredibilitet njëri-tjetrit.

Rama tani rri qëllimisht në Parlament, gjoja ka debat. Berisha duhet të ngrejë popullin në shesh, por nuk i shkon njeri pas. Po bëhet një debat i panevojshëm që nuk krijon asnjë vlerë për popullin. Bën apo nuk bën debat në Parlament, Rama është i garantuar me Berishën. Berisha nuk pranohet më nga shqiptarët. Sa herë flet Berisha, merr kredibilitet Rama. Të dy po i mbajnë peng shqiptarët me këtë teatër dhe ruajnë njëri-tjetrin.

Mbështetja e Berishës është në grahmat e fundit. Njerëzit votojnë liderin, ai zgjedh strukturën. Lidershipi i PD-së është i urryer nga shqiptarët, asnjë nuk është i pëlqyer. Fakti që ata janë në gjendje mjerane, do të vijojnë kështu.

Kurrë mos ardhtë PD-ja me Berishën kryetar në pushtet. Janë të fëlliqur. Këta me radhë e kanë humbur edhe nderin. Berisha kishte nder. Për mua, PD-ja nuk vjen kurrë në pushtet dhe ata nuk duan të vijnë, duan të jenë numri dy. E mbyllim këtu.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb