Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me GIZ Albania dhe ALBICT, ka nisur zbatimin e programit “CliMobility City Lab”, një nismë që synon përmirësimin e hapësirave publike, zhvillimin e mobilitetit të qëndrueshëm dhe përshtatjen e qytetit ndaj sfidave që sjellin ndryshimet klimatike.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e kësaj nisme për përmirësimin e cilësisë së jetesës në qytet, duke vendosur në fokus krijimin e hapësirave publike më të gjelbra, reduktimin e temperaturave në zonat urbane dhe lehtësimin e lëvizjes së këmbësorëve.
Programi do të përqendrohet në pesë zona pilot të qytetit, ku synohen ndërhyrje konkrete për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, reduktimin e efektit të nxehtësisë urbane dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.
Një nga elementet kryesore të kësaj nisme është hakatoni treditor, gjatë të cilit të rinj dhe profesionistë nga fusha të ndryshme do të punojnë së bashku për të hartuar ide dhe zgjidhje inovative për sfidat urbane të Elbasanit. Idetë më të mira do të zhvillohen më tej, me synimin që të shndërrohen në ndërhyrje konkrete në hapësirat publike të qytetit.
“CliMobility City Lab” merr një rëndësi të veçantë edhe në kuadër të angazhimit të Elbasanit si pjesë e Misionit të Bashkimit Evropian për 100 qytete neutrale ndaj klimës dhe inteligjente deri në vitin 2030. Ky angazhim synon të nxisë transformimin e qyteteve përmes zgjidhjeve të qëndrueshme, reduktimit të ndikimit mjedisor dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve.
Përmes bashkëpunimit me partnerë dhe institucione të ndryshme, Bashkia Elbasan vijon të punojë për një qytet më të gjelbër, më funksional, më të aksesueshëm dhe më rezistent ndaj ndryshimeve klimatike.