Nga Artur Ajazi
Në fakt mbetet një pyetje retorike, por ja që mbetet pyetja më e shpeshtë që po bëhet sot në Shqipëri. Kur do të lindë opozita e vërtetë në Shqipëri ?
Kur do të lindë opozita konstruktive, opozita reale, opozita bashkëpunuese dhe europiane, e cila do ti japë vendit imazhin pozitiv ? Kjo për faktin sepse, kjo opozitë, ka jo vetëm mospranimin e shumicës së shqiptareve, jo vetëm ka 14 vjet që humb çdo palë zgjedhje, jo vetëm ka në krye një ish-komunist dhe ish-kryeministër që mbetet nën hetim dhe gjykim, por ka gjithashtu një “mal” me mëkate mbi shpinë.
Kjo opozitë, që ne e quajmë gabimisht sot si të tillë, dhe ky “lider opozite”, që nuk e di pse quhet i tillë, kanë humbur sot e gjithë ditën, integritetin, reputacionin dhe kredibilitetin të përfaqësojnë, qoftë edhe ata pak demokratë të mbetur akoma anëtarë të saj. Si mund të quhet “opozita e këtij vendi” një parti e shpartalluar, e mbetur pa aleatë, pa mbështetës, pa njohje nga faktori ndërkombëtar, pa vizita të asnjë ambasadori të huaj në Tirane ?
Si mund të quhet kjo dhe ai “opozita dhe lideri opozitës”, kur SPAK ka 5 vjet që heton, gërmon, dhe gjykon ish-kryeministrin, dhëndrin, dhe një taborë me njerëz nga klani i tij financues ? Jo, Shqipëria pa asnjë vonesë ka nevojë për një opozitë reale, serioze, të panjollosur, të paimplikuar, të pabaltosur, të pahetuar dhe padënuar. Shqipëria ka sot më shumë se kurrë, nevojë urgjente për mbështetjen e partive të reja, e atyre partive të cilat nuk kanë sërish brenda tyre “këlyshët” e kësaj opozite, me diploma të blera, por intelektualë të shkolluar.
Shqipëria ka humbur shumë shanse dhe kohë të vyer, duke u marrë me hallet, problematikat, kusuret e ledhatimet e kësaj palo-opozitë. Shqiptarët nuk e kanë luksin, të merren dhe të dëgjojnë çdo ditë, javë, muaj dhe vit, broçkullat dhe profkat e një ish-komunisti, që në thelb, ka formim leninist, dhe që hiqet sikur “ka sjellë demokracinë, dhe po e mban gjallë atë me partinë e tij”. Sot më shumë se kurrë, ka ardhur koha që edhe nga radhët e asaj partie, që nuk e di pse quhet “opozitare”, të dalin nga rreshti ata pak njerëz me integritet, dhe të grupohen në një force reale opozitare, që nuk bën pazare me vlerat e lirisë dhe demokracisë.
Sali Berisha, mbetet njeriu pazareve, politikani interesave, dhe lideri i pakicës së pakicës së asaj partie, që e ka kthyer në çiflig. Afrimi i vendit me Bashkimin Europian, duhet ti japë shanse të mëdha edhe politikës, sidomos asaj opozitare, për të gjetur veten, dhe për ti dhënë fund një etape dhe periudhe të turpshme, të cilat e kanë cilësuar dhe identifikuar opozitën, me “parti destruktive” dhe liderin e saj 36 vjeçar, me “njeriun dhe politikanin më mëkatar të Shqipërisë”.










